Kush ka durim të shfletojë forumet e shumta shqiptare në Internet, do të vërë re se fashizmi atje është ulur këmbëkryq, i maskuar pas kombëtarizmit, shpesh ekstrem, pasionant, mitik, violent, irracional, dhe – do të thoja me keqardhje – shumë primitiv. Kjo lektisje e mendimit shqiptar post-totalitar pas fashizmit si patos në mos si ideologji nuk duhet parë veçse si një kombinim i gjymtimit të mendjes shqiptare nga politika vucidolase me mungesën e traditës liberale në Shqipëri.
Po të kihet parasysh se në këto forume të drejtën e shenjtë të fjalës së lirë e ushtrojnë kryesisht çuna mustaqepadirsur që jetojnë në Perëndim, ka arsye për t’u shqetësuar për të nesërmen e shqiptarëve. Shumëve prej këtyre egërsia fashiste, intoleranca dhe kombëtarizmi ekstrem u vjen vetvetiu, pa sforcim e pa studime; teksa vitet që kanë kaluar në Perëndim duket t’u kenë shërbyer vetëm për të akumuluar mllef.
Ku ta ketë origjinën ky fashizëm folklorik? Nëse ne shqiptarët ndihemi të poshtëruar si komb, për këtë fajin e kemi më shumë vetë sesa të tjerët, të huajt, faktori i jashtëm. Hordhitë e rrugeçërve nëpër forume, energjitë e tepërta hormonale mund t’i kishin kanalizuar drejt diçkaje më konstruktive. Por me sa duket sa të ketë në politikë njerëz i Jozefina e Saliu të cilët shohin përpara tyre vetëm “armiq të kllasës” që duhen demaskuar e denigruar, kjo mesele do vazhdojë.
Email nga adresa: [email protected]