Kufoma e gjetur në një përrua para tri ditësh në një fshat të Kukësit i përket Genc Gashit, 19-vjeçarit të zhdukurit që në fund të muajit dhjetor dhe rezulton se është vrarë me thikë. Trupi u gjet më 1 shkurt në një përrua në fshatin Petkaj nga një bari i zonës që njoftoi policinë. Grupi hetimor konfirmoi se viktima është Genc Gashi, banues në fshatin Shtan, nëna e të cilit denoncoi humbjen më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Mjekësia Ligjore ka arritur në konkluzionin se vdekja e tij është shkaktuar nga goditje me mjete të mprehta thikë, pasi në trup janë gjetur disa plagë të dyshimta. Nëna ka thënë se i biri nuk kishte konflikte, ndërsa dyshimet bien për një lidhje dashurore me një vajzë të fshatit fqinj në Shëmri. Ajo u mor në pyetje pasi 19-vjeçari humbi, por tha se fliste vetëm në telefon dhe jo më shumë. Kurse nëna Xhemalie Gashi, dëshmoi se i biri ishte telefonuar nga një numër që nuk e njihte dhe ishte shqetësuar shumë, duke dalë me vrap nga banesa, për të mos u kthyer më kurrë.