Dy fitore në po kaq ndeshje nën drejtimin e Miodrag Radanovic e kanë ndryshuar atmosferën në kampin e Kukësit, ku mbizotëron entuziazmi dhe dëshira për ta mbyllur në mënyrën sa më të mirë të mundshme sezonin.
Portieri Argjent Halilaj vlerëson te trajneri serb ndikimin në anën psikologjike të skuadrës pas dështimit përballë Skënderbeut në “Zeqir Ymeri”, ku thekson: “Trajneri Radanovic po punon shumë nën anën psikologjike të skuadrës. Dora e tij u ndje edhe në dy ndeshjet e fundit, ku kemi marrë dy fitore. Ka entuziazëm dhe dinamizëm në stërvitje, diçka ka ndryshuar për mirë”.
Për Halilajn rruga më e sigurt për Kukësin për të luajtur në Europa League është kampionati, ku duhet lënë pas në renditje Tirana ose Partizani. Portieri i kuksianëve thotë: “Unë mendoj se Europa Leaguen e kemi më të sigurt nëpërmjet kampionatin, sepse në finale të Kupës asnjëherë në i duhet se çfarë ndodh”.
Në fundjavë nënkampionaët e Shqipërisë do të presin në “Zeqir Ymeri” Tiranën, ku edhe barazimi do të ishte rezultat në favor të vendasve. “Ne duhet të fitojmë në fushën tonë me Tiranën, për ta siguruar sa më shpejt pjesëmarrjen në Europa League. Barazimi nuk do të ishte rezultat i keq, por ne do të futemi në fushë vetëm për fitore”, deklaroi Halilaj.
Kukësi i ka vijuar përgatitjet në kompleksin sportiv në Pezë Helmës, me trajnerin Radanovic i cili ka kushtuar vëmendje të veçantë anës taktike në të dyja fazat e lojës, duke punuar me dy grupe në orare të ndryshme.