Apolonia i jep një goditje krizës duke barazuar 0-0 në transfertë me Kukësin, që humb shansin për të marrë vendin e parë në renditje. Verilindorët e Shaqirit, përballë skuadrës së parafundit në renditje nuk arrijnë të fitojnë, duke lejuar fierakët të marrin dhe pikën e tyre të parë në transfertë në këtë kampionat.
Kukësi luante të dytën ndeshje shtëpiake radhazi, dhe synonte suksesin dhe ndaj Apolonisë, që kishte ndryshuar dhe trajner në mesjavë. Në fazën e parë, kuksianët kishin fituar me një gol të Pejic në Fier duke mbyllur ndeshjen madje me 10 vetë por dhe këtë herë gjërat nuk ishin të thjeshta ndaj Apolonisë. verilindorët madje e patën disi të vështirë të dilnin në ritmin e tyre në fillim.
Pas rastit të minutës së pestë të Pejicit, duhej pritur deri në përpjekjen e Malotës me kokë në të 26-tën për të parë rastin e radhës së vendasve. Në të 31-tën, mundësia për të zhbllokuar shifrat ju paraqit Lushtakut, por ky i fundit në dy raste nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.
Apolonia u pa më në fund në sulm në të 33-të, me Mitrajn, që bëri gjithçka vetë por nuk gjeti dot kuadratin dhe për një devijim të topit. Në të 39-tën rrezikoi dhe Pejic, por pa gjetur dot kuadratin.
Epërsia në lojë e Kukësit vazhdoi dhe në pjesën e dytë, por nuk u konkretizua as nga Jefferson, që në të 54-trën goditi jashtë. Si kur të mos mjaftonte pasaktësia përpara portës, Pejic në të 66-tën u bë dhe mbrojtës kur u gjend në rrugën e golit.
Apolonia e kuptoi që mund të guxonte më shumë, dhe në të 71-tën, Mitraj sërish mori iniciativën duke hyrë mirë në zonë, por vonoi goditjen duke i lejuar Malotës të ndërhynte.
Në të 79-tën, protagonistëve të rasteve të humbura ju bashku dhe Zeqiri, që nuk devijoi dot topin brenda në zonë. Rastin më të mirë të ndeshjes e pati Karakaci, në të 89-tën, por nuk arriti dot të dërgojë topin në rrjetë duke shpërdoruar një mundësi të artë për Apoloninë, që gjithsesi në fund mund të dalë e kënaqur nga “Zeqir Ymeri” me këtë pikë të marrë.