Kukësi vazhdon të jetë tepër aktiv në merkaton e janarit, jo vetëm për sa i përket afrimit të futbollistëve. Nga faqja e klubit në Facebook është bërë e ditur se presidenti Safet Gjici ka marrë vlonjatin Efstraf Billa si trajner të portierëve, për të zëvendësuar të ndjerin Dashamir Gëzdari, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Veç tij, në rolin e shefit të klubit është emëruar Gjergji Thaka, njeri me përvojë të gjatë në administrim, pas viteve të kaluar te Partizani dhe në FSHF. Ndërkaq, Kukësi ka bërë edhe federimin e parë në merkaton e janarit. Është England Haxho, ish-portieri i Bylisit, që është bashkuar me skuadrën e Naxhi Shensojit. Për sa u përket tre lojtarëve nigerianë, klubi sqaron se ende nuk kanë nënshkruar dhe janë në proces prove nga Shensoji. Veç tyre, në provë është paraqitur edhe sulmuesi kosovar Arlind Elshani. 24-vjeçari ka luajtur në Slloveni me NK Izola, FC Luka Koper e NK Jadran Dekani dhe vjen si lojtar i lirë. Në stërvitjen e djeshme ka qenë edhe mbrojtësi beratas Andrea Kule, i cili në fazën e parë ka luajtur me Dinamon. Faqja zyrtare e klubit ka bërë të ditur edhe faktin se presidenti Gjici do të paguajë për të konvertuar në gjobë pezullimin e fushës, në mënyrë që skuadra të luajë në shtëpi, gjë që nuk ka qenë e mundur në ndeshjet e fundit për shkak të incidenteve të ndodhura pas ndeshjes kundër Skënderbeut.