Kukësi është duke u përgatitur për ndeshjen kundër Trabzonsporit në Europa League dhe të gjithë lojtarët janë optimistë për një tjetër mrekulli. Kundërshtari është vërtet shumë i fortë, megjithatë skuadra e Armando Cungut merr zemër nga fakti që nuk cilësohej favorite as në të tre raundet e mëparshëm, por i kaloi të gjithë me plot meritë, duke nisur nga Flora Tallin e Estonisë, për të vazhduar me FK Sarajevon e Bosnjë Hercegovinës dhe me Metalurg Donjeck të Ukrainës. Sulmuesi Gerhard Progni, një nga lojtarët më të spikatur, garanton se skuadra e tij do të japë maksimumin përballë turqve. Progni thotë se synimi kryesor është të mos humbasin. “Jemi përgatitur si duhet për këtë ndeshje shumë të rëndësishme dhe kemi besim se do t’ia dalim edhe këtë herë. Trabzonspori është shumë i fortë, por mund të kualifikohemi. E rëndësishme është të arrijmë një rezultat pozitiv në “Qemal Stafa”, qoftë edhe një barazim, për të shpresuar për kualifikim deri në përfundim të ndeshjes së kthimit”, thotë Progni. Synimi i sulmuesit dhe i gjithë skuadrës bazohet te ajo që ka ndodhur në dy raundet e fundit, në të cilët Kukësi fitoi në Tiranë dhe e mbrojti rezultatin në ndeshjet e kthimit jashtë. Kukësi arriti një fitore të ngushtë, 3-2, kundër boshnjakëve, çka e bënte tejet të vështirë ndeshjen e kthimit, megjithatë ia doli mrekullisht të ruante të paprekur portën, madje edhe nga një gjuajtje nga pika e penalltisë, e pritur nga portieri Halilaj. Të njëjtën gjë bëri edhe në raundin e tretë, pasi fitoi 2-0 me Metalurgun. Ndonëse shifrat e kësaj fitoreje ishin më shpresëdhënëse, përsëri takimi i kthimit qe i vështirë, sidomos pas disavantazhit numerik, në një kohë që Metalurgu kryesonte 1-0. Për sa i përket kundërshtarit të radhës, ai është studiuar mirë nga stafi teknik, ndërkohë që në ndeshjen e fundit, me Beshiktashin, është parë “live” në Stamboll nga Cungu dhe drejtori teknik Sulejman Starova.