Kur disa muaj më parë nga selitë e komunitetit europian cilësia e zgjedhjeve shqiptare u artikulua si kusht themelor i hapjes së bisedimeve për marjen e statusit të vendit kandidat, kryeministri në detyrë Sali Berisha e garantoi këtë. Deklaratën e garancisë e bëri publikisht, në të gjitha ekranet e televizioneve shqiptare, ndërkohë që komisioni përgjegjës i autoritetet bashkëeuropian i’a kishte paraqitur raportin e vet instancës superiore vendimarrëse. Deklaratë-garancia e kryeministrit shqiptarë u bë para se Parlamenti Europian të miratonte rezolutën për Shqipërinë (ku zgjedhjet do të qenë testi thelbësor për integrimin), dhe u lëshua prej tij si karrem joshës tinëzar për t’a zhvatur “po”-në. Domethënë miratimin e hapjes së bisedimeve për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Vendit që prej rreth tetë vite qeveriset nga Sali Berisha, kryeministër e sundues dinastik i partisë së maxhorancës.Nga i fundit udhëheqës gen-pastër i komunizmit diktatorial, dhe i vetmi i mbetur në sheshbetejën e luftës midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik.
Garancia e Berishës për pasjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 2013 –tën u dha, ndërsa nëpërmjet marifeteve shejtanizuese, ai kishte arritur të strukturonte kupolën administratuese të manipulimit. Ferdinant Ponen, të shumëakuzuarin edhe ndërkombërisht si manipulator e që prej tetë vitesh mban postin e zv.ministrit të Pushtetit Lokal,zyrtarin që është përgjegjës i drejtëpërdrejtë edhe për mbarëvajtjen e votimeve 2013, e dubloi me Arben Ristanin. Ish kryetarin e KQZ,në dy palë zgjedhjet e fundit krizësjellëse, e që, ashtu si Pone, u bë ndërkombëtarisht proverbial në votimet e majit 2011, duke e nxjerrë garuesin Edi Rama, nga fitues me dhjetë vota “pro”, në humbës me vota të skualifikuara.
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 nuk i përmbushnin standardet e pranuara ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës qeverisëse për t’i shtrembëruar raportet ndërkombëtare, për të provuar të kundërtën. Ndërsa votimet për bashkinë e Tiranës ishin një farsë dhe, për ta thënë troç, turpëruese për vendin”,- ka vlerësuar ish ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John L. Withers II, në një intervistë të publikuar në mars 2012, për revistën “JAVA”,tek shprehej skeptik për qënien të panjollosura, të ndershme e të lira të zgjedhjeve 2013. Vlerësimi i ambasadorit Withers II vinte pasi në fillimqershorin e vitit 2009, dymbëdhjetë ditë para zhvillimit të votimeve të përgjithshme parlamentare, nëpërmjet një kabllogrami dërguar DASH, midis të tjerave ai raportonte: “Zgjedhjet e manipuluara parlamentare të vitit 1996 hapin siparin e pikës më të ulët për zgjedhjet shqiptare. Të mbushura me parregullsi, dhunë, kuti të mbushura, intimidim policor ndaj kandidatëve të opozitës, një administrim jo kompetent të proçesit, zgjedhjet ishin shkatërrimtare…Fakti që përsëri Sali Berisha ndodhet në pushtet, ndërsa Ferdinant Pone, drejtues i projektit të Kartave të Identitetit, ka shqetësuar PS se e njëjta situatë do të përsëritet edhe në këto votime…”.
E megjithëkëto, i gjithëpushtetshmi kryeministër, Sali Berisha nuk nguroi të deklaronte garancinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme 2013, edhe pse nëpërmjet kulturës së tij të manipulimit, si president të vendit kishte arritur të vendoste ish ministrin e tij të Brendshëm. Që ndonëse ka si detyrë qënien garant i kushtetueshmërisë as që mund të shpresohet se mund të garantojë gjesendi, pa qenë garant kryeministri. Por, Sali Berisha, shpejtoi të deklaronte garancinë e qënies së zgjedhjeve 2013 “të lira” e të “ndershme”, ndërkohë që në postin e ministrit të Brendshëm kishte emëruar një flamurmbajtës të vetin. Për të garantuar apo për të manipuluar?
“…Flamur Noka deklaroi nga salla e Kuvendit se nuk ka asnjë ndërhyrje artificiale në listat e votuesve as në Kukës dhe askund tjetër.Megjithatë Noka, që vjen nga Kukësi dhe pikërisht nga komuna me shtimin më të madh të votuesve në Shqipëri, nuk ka pranuar të bëjë transparencë për listat e votuesve, duke thënë se ato janë të dhëna private. Vetë Noka e ka vendosur familjen e tij në dy palë lista votuesish, njëherë në Kukës dhe më pas në Tiranë e Durrës…”,- raportonte gazeta “TemA”.
Gjykimi nga Kolegji Zgjedhor i një vendimi që ligjërisht i takonte KQZ-së, ndarja e mandateve jo nga KQZ, por nga Parlamenti, lënia në fuqi e ndarjes zonale 2009 dhe beteja manipulative për marrjen e mandateve dhe zhvendosjen e deputeteve nëpër zona zgjedhore që i leverdisin partisë së Kryeministrit, janë gjurrmë dukshëm të mjaftueshme për mosgarantimin e “ndershmërisë së zgjedhjeve” të pritshme të qershorit 2013.
Por kultura berishiste e manipulimit nuk përfundon këtu. Emërimi i Lefteri Lleshit, ish këshilltare e kryeparlamentares Topalli, në krye të KQZ-së,e të tjera emërim-çemërime, shfrytëzimi i pushtetit për të bërë propagandë elektorale (madje edhe tek nxënësit minorenë), hapja e vëndeve të punës etj. marifete për të kompromentuar sa më shumë votues i bashkëngjiten skepticizmit se pushteti berishist i maxhorancës po i mëshon më shumë skemës së heshtur të manipulimit nën tryezë , sesa garancisë së “lirisë e ndershmërisë” në procesin zgjedhor 2013: pra, qënien e këtyre votimeve, as më shumë e as më pak, se një proces si gjithë të mëparshmit. Domethënë aspak të ndershme, të lira në dukje, por me rezultat të vjedhur e të dalë prej votash të manipuluara.
shkrim profesional, nje menyre analizimi me fakte dhe pa koke te nxehte sic shohim te jene shume shkrime, edhe pse nga titulli duket se ka politike.E kam ndjekur z.shyti sistematikisht, vecanerisht tek gazeta Tema, ku kam konstatuar se eshte angazhuar se fundi dhe e pergezoj qe angazhohet edhe tek gazeta Dita qe mua me pelqen po aq sa dhe Tema pasi nuk mban anesi politike idiote pavaresisht se perlqen te majtet. Urime z.shyti dhe te pafsha sa me shpesh tek Dita.