BASHKËBISEDIM ME KRYEREDAKTORIN
E nderuar DITA. Z.Stefan Fyle, që së shpejti viziton Tiranën ka postuar sot një mesazh në rrjetin social, Tëitter, ku shkruan: “Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk do të zgjidhin çështjet kritike: mungesën e kulturës së kompromisit dhe mungesën e përfshirjes”. “Kultura e kompromisit” e thene drejte per se drejti do te thotë nenshtrim pa tjeter i opozitës. Shkruaj kështu sepse sa here opozita ka hapur rruge maxhorances qeverisese per hire të z.Fule dhe të tjerëve dhe nuk kemi asnje raste qe maxhoranca te kete kuptuar opoziten?! Ne si qytetare shqiptare ju themi zotërinjve në fjalë: na lodhet me direktiva te shtrembera e të paqarta, na lodhët…
I nderuar lexues
Është e vërtetë që fjalia e shkurtër lë vend për interpretime të shumta, veçanërisht duke patur parasysh që deri më tani është artikuluar disa herë rëndësia e procesit zgjedhor të 2013-s për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt unionit. “Mungesa e kulturës së kompromisit”? Po, padyshim. Komisioneri e sheh me të drejtë si çështje kritike, por kjo kulturë është qartësisht e dukshme. Në atë fazë sa nuk ka nevojë aq shumë për t’u theksuar sesa për të bërë të qartë se si mund të shkohet drejt saj. Jam plotësisht dakord me ju. E para gjë që e themelon kulturën e cituar është që duhet të ketë dy palë të gatshme për kompromis. Që të jenë të gatshme, duhet të lëshojnë pe, të tërhiqen njëra më pak e tjetra më shumë, njëra një herë e tjetra, herën tjetër. Çfarë ka ndodhur deri tani? Kemi parë një opozitë që tërhiqet vazhdimisht dhe një pozitë që dikton vendimet e saj pa u tërhequr asnjë milimetër madje duke avancuar përherë e më shumë, deri në marrjen së fundmi të mandateve në tavolinë.
Si mund të arrihet pra kompromisi për tri ligjet? Duke detyruar opozitën të tërhiqet sërish me logjikën fëminore të votimit formal të tre ligjeve në një vend ku ligji shkelet deri në vrasje qytetarësh? Apo (në rastin konkret) duke i bërë të qartë Berishës që të heqë dorë nga marrja me dhunë e një pushteti në Fier, ku ai dhe partia e tij nuk janë votuar nga populli? Përse i bëhet thirrje vazhdimisht opozitës të tërhiqet në emër të një “interesi madhor” (që gjithsesi nuk mund të jetë i tillë nëse katandiset në një ftesë hipokrite për të bërë syrin qorr e veshin shurdh mbi atë që po ndodh) – por papritur ky “interes madhor” nuk e paska të njëjtë valencën kur vjen fjala për t’u tërhequr Berisha nga puçi mizerje i Fierit? Kush është baza dhe kuptimi i “kompromisit” në fund të fundit?
Një përgjigje e ka dhënë Skënder Gjinushi në një konferencë të djeshme për shtyp, në të cilën citohet nga media të ketë thënë: “Veprimi i djeshëm (me mandatet në Kuvend) tregon qartazi se sa qesharake janë thirrjet, se gjoja Shqipëria është tre projektligje larg Europës, në një kohë kur në Shqipëri, nga kjo shumicë nuk zbatohet as Kodi, as ligji, as Kushtetuta, as vendimet e Gjykatave. Kjo tregon qartë se sa absurde janë të ashtuquajturat thirrje për kompromis apo konsensus, kur baza e cdo kompromisi në demokraci është zbatimi rigoroz dhe korrekt i ligjit”.
Email në [email protected]
Adrian Thano, Kryeredaktor i DITA
Shume bukur Z.Thano, me pelqyet me shkrimin tuaj. Duhen shume shkrime te tilla per t’jua c’jerre masken perfundimisht ketyre te Europes Plake. Si gjithmone ndjekin ata ndjekin dy standarte dhe gjithmone ne kurriz te popullit e ne perkrahje te nje kaste politike te korruptuar.