Sot luhen gjysmëfinalet, asnjë nga pjesëmarrësit nuk e ka fituar më parë trofeun. Skënderbeu ka rastin të hyjë në “klubin e të mëdhenjve” si fitues i dyfishtë trofesh
Skënderbeu i Korçës është vetëm dy hapa larg hyrjes në histori, për t’u bashkuar me “klubin” e katër të mëdhenjve të futbollit shqiptar, si fitues i dyfishtë i Kupës e i kampionatit. Deri tani, vetëm Tirana, Dinamo, Partizani e Vllaznia kanë arritur t’i fitojnë në të njëjtin vit të dy trofetë, ndërkohë që ky është rasti më i mirë që një gjë të tillë ta arrijnë edhe korçarët. Skuadra e Mirel Josës është pranë titullit të tretë radhazi, për të cilin mungon vetëm siguria matematike, por Kupën nuk e ka fituar kurrë. Vitin e kaluar ishte shumë pranë realizimit të një arritjeje të dyfishtë, të fitonte Kupën për të parën herë e njëkohësish të bënte dublim trofesh, por kampionët u mundën në finale nga Tirana, me golin e shënuar nga Bekim Balaj. Hera e fundit që një skuadër ka fituar titullin dhe Kupën ka qenë më 1999 dhe fituesi ishte Tirana. Asnjë prej skuadrave gjysmëfinaliste nuk e ka fituar më parë Kupën e Shqipërisë, çka do të thotë se këtë herë do të kemi një emër të ri në listë dhe sigurisht që Skënderbeu është pretendenti kryesor. Skuadra kampione e vendit, përveçse është më e mira e katërshes, mund të konsiderohet edhe si ajo që ka më tepër përvojë. Korçarët kanë luajtur tetë herë më parë në gjysmëfinale dhe në katër raste janë kualifikuar në finale. Nga të tjerat, vetëm Laçi e ka provuar një herë gjysmëfinalen, më 1998, kur është mundur nga Apolonia. Bylisi e Kukësi e kanë sefte, megjithatë kanë ambicie të mëdha për të shkruar emrin e tyre në librin e artë. Ndonëse Skënderbeu është skuadra me shanset më të mëdha, do t’i duhet të djersijë mjaft për të siguruar kualifikimin. Ndeshja vendimtare do të luhet në Ballsh, ndërkohë që për takimin e parë ballshiotët mund të marrin zemër nga barazimi 2-2 në kampionat, ndeshje që më pas u fitua në tavolinë nga Skënderbeu, për aktivizimin e të huajve përtej numrit të lejuar nga ana e Bylisit. Takimi i Korçës do të zhvillohet sot pasdite
Kukësi-Laçi
Skuadra kuksiane është befasia e vërtetë e këtij sezoni, pasi mban vendin e katërt në kampionat, me vetëm dy pikë më pak se Teuta e vendit të dytë, ndërkohë që është kualifikuar edhe në gjysmëfinale të Kupës. Vitin e kaluar luante në Kategorinë e Parë, por nuk mund të quhet si skuadër pa përvojë, nisur nga fakti që aktualisht ka shumë lojtarë që kanë fituar trofe me skuadra të tjera. Për të tërhequr sa më tepër tifozë, presidenti Safet Gjici ka vendosur që të hapë dyert e stadiumit dhe hyrja të jeta falas. Ndërkohë, edhe presidenti i Laçit, Pashk Laska, është gati të bëjë gjithçka që skuadra e tij të mos ndihet e vetmuar në Kukës. Ai ka prenotuar pesë autobusë për përkrahësit e Laçit, të cilët pritet të jenë me shumicë në Kukës. Laçi synon Evropën, por tashmë i ka mbetur ta arrijë vetëm përmes Kupës, pasi në kampionat ka mbetur prapa.
Kupa e Shqipërisë
Gjysmëfinalet
Sot
Skënderbeu-Bylis 17:00
Kukësi-Laçi 14:00
Skeda e gjysmëfinalistëve
Skënderbeu
Fitues: 0 herë
Finale: 4 herë (1958, 1965, 1976, 2012)
Gjysmëfinale: 9 herë (1958, 1960, 1963, 1965, 1966, 1976, 1980, 2012, 2013)
Bylis
Fitues: 0 herë
Finale: 0 herë
Gjysmëfinale: 1 herë (2013)
Kukësi
Fitues: 0 herë
Finale: 0 herë
Gjysmëfinale: 1 herë (2013)
Laçi
Fitues: 0 herë
Finale: 0 herë
Gjysmëfinale: 2 herë (1998, 2013)