Ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhuruan dy barazime dhe askush nuk mund të ndihet i sigurt për kualifikimin në finale. E vetmja skuadër që mund të thotë se ka më tepër shanse se të tjerat është Bylisi, i cili befasoi përsëri Skënderbeun në Korçë, duke barazuar 1-1. Madje miqtë kaluan të parët në epërsi, në minutën e 81-të, me anët të Piter, i cili shënoi bukur me kokë, duke kërcyer mbi të tjerët, pas krosimit të saktë nga Gërxho, në një goditje të lirë nga e djathta. Dy minuta para fundit, Sabien Lilaj barazon, me një gjuajtjet të shkëlqyer nga jashtë zonës. Takimi mbyllet në ekuilibër, veçse favorizon Bylisin për ndeshjen e kthimit, pasi ka shënuar gol në fushën kundërshtare. Në këto kushte, skuadrës kampione i duhet të fitojë patjetër në Ballsh pas dy javësh, ose të paktën të barazojë me më tepër se dy gola. Një sipërmarrje e vështirë, në një fushë po aq të vështirë, ku fitoret e skuadrave udhëtuese janë me pikatore. Korçarët mund të ruajnë forca në kampionat, pasi aty e kanë bërë të vetin titullin, por të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Bylis. Për kampionët do të mungojë Bekim Kuli, i cili mori karton të kuq një kohën shtesë. E garantuar është që takimi i kthimit do të jetë spektakolar, pasi Kupa është një objektiv tepër i rëndësishëm për të dyja, ndërkohë që, për Skënderbeun duket se po mbetet tabú.