Do të ishte ideale që herën tjetër të mblidhen në Vlorë. Aty, në Sheshin e Flamurit. Afër një flamuri të madh, shumë të madh kuq e zi. Në këtë mënyrë, qeveritë e të dyja shteteve, Kosovës e Shqipërisë, do të dërgonin mesazhe edhe më patriotike, do të mund të shitnin edhe më shumë folklorizëm e demagogji, do të ngrinin edhe më lart adrenalinën e atyre që iu drejtohen, sidomos të kosovarëve.
Sepse, çfarë mbeti në mendjet e qytetarëve nga takimi i dy qeverive në Tiranë, përveç skenografisë me shqiponjën e zezë në fushën e kuqe dhe tavolinave rrotull të mbuluara me yjet e flamurit të BE-së?
Një praktikë aspak e jashtëzakonshme e takimit të qeverive të shteteve të ndryshme u sërish provua që të shitet si diçka ekskluzive. Dhe, në qoftë se mbledhja e Prizrenit vitin e kaluar ishte e rëndësisë së veçantë dhe bartte kuriozitet në vete, kjo e Tiranës do të duhej që të kishte impakt më tepër përmbajtësor, sesa vizual.
Të dy shtetet edhe ashtu janë vonuar tepër në organizimin e takimeve të tilla të përbashkëta, andaj edhe pritjet ishin që marrëveshjet e arritura të jenë më konkrete e praktike, e jo të përgjithësuara.
Të dy shtetet duhet të shohin konkretisht se si t’i zgjidhin problemet dhe të rritin praktikisht bashkëpunimin ndërmjet tyre. Nuk mjafton që udhëheqësit politikë të flasin në parim dhe të tregojnë shenja të vullnetit të mirë. Por, para kësaj, qeveritë e të dyja shteteve do të duhej fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre.
* * *
Tingëllojnë demagogji zotimet se do të bashkëpunohet në sferën e sigurisë, ndërkohë që situata e sigurisë në të dyja vendet, sidomos ne Shqipëri, është shumë problematike.
Tingëllojnë demagogji pohimet se do të bashkëpunohet në fushën e tregtisë e ekonomisë, ndërkohë që edhe ato pak prodhime të Kosovës që mund të eksportohen ballafaqohen me pengesa të panevojshme nga pala shqiptare. Pengesa këto që nuk vlejnë, ta zëmë, për produktet nga Serbia ose Maqedonia. Të mos flasim për mungesën thuajse totale të bizneseve kosovare në Shqipëri.
Është demagogji e vërtetë të përmendësh bashkëpunimin në fushën e arsimit, ndërkohë që e vetmja e arritur është Abetarja e përbashkët, por e cila Kosovës i është imponuar, sepse në Shqipëri ka edhe disa Abetare të tjera alternative. Sa për arsimin e lartë, më lehtë është që institucionet kosovare të arsimit të arrijnë marrëveshje bashkëpunimi me institucione akademike gjithandej botës, sesa me ato të Shqipërisë. Ndërkohë që të vetmet bashkëpunime të frytshme në këtë fushë duket të jenë manipulimet me tituj akademikë që mund të blihen në Tiranë nga kosovarët për shuma të majme eurosh.
Në fushën e sportit bashkëpunimi me Kosovën përmendet vetëm kur bëhet fjalë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe përfshirjen e futbollistëve kosovarë në të, por injorohet deri në përçmim fakti se Kosova është shtet i pavarur, njësoj si Shqipëria dhe së shpejti do ta ketë kombëtaren e vet.
Në fushën e kulturës Tirana ende sillet si padrone ndaj Kosovës, shpesh edhe duke i injoruar vlerat e kulturës kosovare, ndërkohë që media e kultura masive atje zakonisht prodhojnë “opium kuq e zi” për audiencën kosovare.
* * *
Qeveria e Edi Ramës është larg më mirë krahasuar me atë të Sali Berishës sa i përket raporteve me Kosovën. Ndryshe nga qasja folkloriste berishiste, Qeveria Rama sillet ndryshe ndaj shtetit fqinj, por ende demagogjia nuk mungon dhe qasja paternaliste, ndonëse jo në përmasa si dikur, vazhdon. Ashtu siç vazhdon qasja nënshtruese e Prishtinës ndaj gjithçkaje që vjen nga Tirana.
E nuk do të duhej të ishte kështu.
Së pari Shqipëria duhet që ta trajtojë Kosovën vërtet si shtet në vete, shtet fqinj dhe të barabartë, me të cilin duhet kultivuar marrëdhënie më të mira dhe më të ngushta se me të gjitha shtetet tjera. Dhe nuk duhet ta trajtojë si një provincë të saj, sepse nuk është e tillë dhe s’ka qenë ndonjëherë. Vetëm kur të dy shtetet respektojnë seriozisht njëri-tjetrin, mund të flitet për bashkëpunim serioz dhe të sinqertë.
Është e kotë të mbulohen problemet me flamur, ndonëse sa më i madh flamuri, problemet fshihen më mirë. Natyrisht, nuk kam asgjë kundër flamurit kuq e zi. As kundër ngjyrave kuq e zi. Por jam absolutisht kundër që me flamur të mbështillen keqqeverisja e dështimet, paaftësia për të krijuar raporte më të shëndosha ndërshtetërore. Nëse nuk punohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura vjet në Prizren e sivjet në Tiranë, është e kotë që takime të tilla të vazhdojnë të mbahen.
Flamuri kuq e zi herën tjetër mund të dizajnohet edhe më i madh. Edhe ngjyrat mund t’i ketë më të theksuara. Por kjo nuk është garanci se gjërat do të përmirësohen. Dhe, përveç rizgjimit të ndjenjave dhe shtimit të adrenalinës – kryesisht të kosovarëve, nuk do të rritet as zhvillimi ekonomik, as siguria, as cilësia në arsim e kulturë.
Express
Po ç’eshte kjo xhelozi kaq e keqe me keto shkrime antishqiptare? Bota jeton edhe me reklame, ndersa ne nuk bejme dot asgje se çdo te mire qe bejme, sado e vogel te jete do na kritikojne gazetaret! Edhe sikur reklame te ishte, prape mire do te ishte, jo qe kishte gjithe ate ngarkese pune. Qofshi ju qe jeni o Imer Mushkonja!
Demagogji esht ky tekst .
Jo demagogji, por antishqiptarizem i paster.
Sado liberale qe eshte gazeta, kete nuk duhet ta kishte botuar, se nuk kane nevoje lexuesit te lexojne te tilla poshtersi te agjenteve serbe.