Një zyrtar meksikan pati në duar historinë e Kubës: nëse do të kishte shkelur këmbëzën e pistoletës në 1956-ën jo vetëm që do të kishte ndryshuar fatin e këtij vendi, por edhe atë të një pjese të mirë të Amerikës Latine.
Arkiva e Përgjithshme e Meksikës deklasifikoi raportin sekret në lidhje me arrestimin në muajin qershor të 1956-ës të Fidel Castros dhe Ernesto Guevaras, kur ata po përgatisnin grushtin e shtetit që më vonë nisi në Kubë. Bëhet fjalë për një dokument të shtypur pesë faqwsh, të titulluar “Komploti kundër Qeverisë së Republikës së Kubës” dhe që u shkrua tri ditë pas marrjes në pyetje nga kapiteni Fernando Gutierrez Barrios.
Sipas këtij dokumenti, Drejtoria Federale e Sigurisë në Meksikë kishte kohë që ndiqte hapat e besnikëve të Castros. Natën e 21 qershorit të 1956-ës, në kryqëzimin e rrugës Mariano Escobedo me Kepler në qytetin e Meksikës, nga një Packard i gjelbër, modeli 1950-ës, dolën tre burra nga pesë që ndodheshin brenda.
Më i gjati ishte Fidel Castro, lideri i tyre, por sapo u përpoq të humbiste gjurmët u lëshuan drejt tij dhe kapën. Atëherë Castro nxori automatikun që mbante, por nuk mundi ta zbrazte, sepse kishte pistoletën e një agjenti në qafë që mund t’i merrte jetën po atë çast. Në atë moment Castro u arrestua dhe bashkë me të edhe celula kubane. Ishte 29 vjeç dhe kishte një revolucion për të bërë.
Brenda pak ditëve u arrestuan disa ndjekës të Castros. Në një tjetër pikë të qytetit, në rrugën Emaparabm 49, po zhvillohej një tjetër ngjarje e rëndësishme, pikërisht aty ku jetonte opozitarja peruane Hilda Gadea.
Burri i saj, astmatik, argjentinas dhe i varfër, ishte i vetmi nga shokët e tij që sfidoi policinë dhe u deklarua marksist-leninist. Emri i tij ishte Ernesto Guevara de la Serna, Che. Nga arrestimi i të dyve ka dëshmi grafike me anë të fotografive.
Dokumenti pesëfaqësh dhe i ruajtur në arkivat e përgjithshme të Meksikës është shndërruar që pas deklasifikimit të tij në një dokument kyç për të kuptuar gjenezën e revolucionit të Castros.
Fideli kishte shkuar në Meksikë që në korrik të 1955 me idenë që të përgatiste kthimin e tij në Kubë dhe kishte arritur të fitonte rreth 40 besnikë që do të ishin edhe bërthama e revolucionit.
“Objektivi ishte të aftësohej ushtarakisht për të udhëhequr të pakënaqurit në vendin e tij”, thuhet në dokument. Instruktorët ishin vetë Castro dhe ish koloneli i Republikës spanjolle Alberto Bayo Giraud. Mësimet jepeshin në fermën Santa Rosa, në Chalco, dhe përfshinin praktika qitjeje, topografie, taktike, përgatitje për luftë guerilase, eksplozive, bomba dhe shpërthime me dinamit.
Një muaj më vonë Fidel Castro dhe Che Guevara u liruan dhe krijuan miqësi me Gutiérrez Barrios, kapitenin që i kishte kapur. Në orët e para të 25 nëntorit të 1956-ës nën shiun e ftohtë, një anije ishte nisur drejt Kubës. Po fillonte revolucioni./DITA
Kjo foto duket sikur fideli “ka mbaru pune” dhe do i lej naj lek…