Qofsha i gabuar, por unë mendoj se për një pjesë të mirë të elektoratit shqiptar, liria qytetare nuk ekziston në praktikë. Vota e të varfrit mund të blihet me lehtësi; vota e të kërcënuarit i shkon kujtdo që premton “dorë të fortë”; vota e kriminelit është për politikanin e korruptuar ose të korruptueshëm; injoranti mund të gënjehet lehtë nga propaganda, ndërsa i varuri psikologjikisht ose ekonomikisht do të zbatojë urdhrin e padronit.
Në një rast të tillë, cili është kuptimi i “votës së lirë qytetare?” Ose aktit që e riprodhon demokracinë me përkufizim? Në këto kushte, demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë veçse një kombinim i manipulimit të turmës nga elitat në pushtet dhe i shantazhit të organizatave parakriminale dhe mafioze ndaj këtyre elitave. Atëherë zgjedhjet, në vetvete, nuk do të mund të zgjidhin asgjë. Shqipëria nuk ka asnjë shpresë tjetër veç forcimit real të “institucioneve” dhe sidomos konsolidimi i vetë institucionit të ligjit në jetën publike dhe private, në bashkëvajtje me respektin ndaj të drejtave qytetare.
Që të bëhet kjo, së pari duhet të FILLOJË. Që të fillojë duhet larguar nga pushteti kjo klikë e rrezikshme vrasësish të dalë mendsh që është sot. Sot Shqipëria është një vend i karakterizuar nga pasurimi zakonisht kriminal dhe tepër marramendës i një numri individësh, familjesh dhe klanesh të lidhura direkt me kryeministrin Sali Berisha; varfërimi njëlloj marramendës i një pjese tjetër të popullsisë; korrupsioni i një pjese të politikanëve e sidomos perceptimi i të gjithë politikanëve si të korruptuar ose të paktën të korruptueshëm etj. Sa më shumë të lihen në pushtet, aq më i rrezikshëm do bëhet ky vend. Për të gjithë. Edhe për ata që besojnë se mund t’ia hedhin sepse janë “në anën e duhur të momentit”.
Email nga adresa: [email protected]