Në fakt, ne mund të jemi i vetmi vend në botë ku opozita, deri dje në pushtet, për të riardhur në parlament, shtron si kauzë një çështje të cilën nuk mund ta mbartë asnjë vend tjetër: dekriminalizimin e Parlamentit.
Në mendimin e parë të rri si gozhdë ideja se ai parlament, ku janë mbledhur njerëzit që duhet të bëjnë Shqipërinë, nuk është asgjë tjetër, veçse një vazhdim politik i Koza Nostrës shqiptare dhe nëpër radhët parlamentare mund të shohësh krejt mirë njerëz që duart i kanë të përgjakura dhe që në jetën e tyre mbajnë më shumë se sa një krim të vetëm.
Ka diçka groteske në të gjithë këtë katrahurë, por ka edhe diçka të vërtetë. Groteske është se kush e ngriti këtë kauzë hiperbolë, ndërsa e vërteta është se vendi ku gjendet krimi është pikërisht nga radhët e atyre që kërkojnë dekriminalizim.
Nuk mund të vë dorën në zjarr për ndonjë deputet të shumicës qeveritare, por jam i bindur se asnjë prej tyre dhe, të gjithë së bashku nuk mund të mbajnë mbi vete as një të mijtën e asaj që mban një njeri i vetëm: Berisha.
Dhe po të bashkohen me të edhe disa emra të tjerë, shtjella politike bëhet aq e rëndë dhe e vështirë për t’u mbajtur, saqë do të duhej një kataklizëm në atë grupim parlamentar, në radhët e të cilit, ata që mund të kenë përparësi demokratike heshtin se mungojnë, ndërsa ata që janë pjesë e krimit bubullojnë si një tufë shtriganësh.
Jam i bindur se disa nga lexuesit e këtij shkrimi do të mendojnë se kërraba ime analiste tërheq nga shumica qeverisëse, por, si një njeri që jam mësuar të shënoj disa nga gjërat që më bëjnë vragë në shpirt, pikërisht lidhur me këtë temë, do të doja të sillja një shkrim në “dy zëra”; njëri nga të cilët të jetë zëri im, prej viteve larguar; ndërsa “zëri” tjetër të jetë brenda atij që mund të quhet kamp opozitar.
Ai është analist e shkrimtar i njohur, shumë e duan, shumë të tjerë nuk e duan, por përgjithësisht ky është fati i analistëve politikë, për më tepër kur janë thellësisht të përfshirë, edhe në emocionet e tyre, në lojën e rëndë politike. Kur them se parlamenti shqiptar nuk mund të bëjë dekriminalizimin e tij nëse në radhën e parë, të tretë ose të fundit qëndron ish presidenti i vitit 1997 dhe kryeministri i vitit 2011, këtë nuk e kam thjeshtë nga perceptimi im vetjak, megjithëse edhe kjo do të ishte e mjaftueshme.
Të gjithëve mund t’u kujtohet viti 1997, sidomos shkurti dhe marsi i atij viti të ububushëm, por edhe ka mjaft të tjerë që e kanë harruar atë. Nuk është fjala për shembjen e shtetit, por për krimet që e shoqëruan atë, rreth 4 mijë të vrarë mbetën nën godinën që kishte hedhur në erë ish presidenti dhe kjo ishte një shifër thuajse e njëjtë me atë që kishte bërë regjimi komunist në Shqipëri. Vrasja mbetet vrasje, qoftë kur bëhet nga diktatura e proletariatit, qoftë kur bëhet nga diktatura e rrugës. Për më tepër, kur bëhet nga kjo e fundit, është edhe më e dhimbshme, pasi është një vdekje në errësirë, pa ideal. E gjithë kjo filloi nga një urdhër i ish presidentit në mbledhjen e grupit të Deputetëve demokratë, që kishin një shumicë të jashtëzakonshme, si pasojë e vjedhjes së votave të vitit 1996, mbledhje në të cilën, ish presidenti lëshoi vetëm një urdhër: Të armatosen militantët. Kjo dëshmi e sjellë nga ish zëvendëskryeministri, Bashkim Kopliku, është përmbushur edhe nga dëshmi të tjera,por edhe nga ajo që ndodhi në realitet.
Preç Zogaj, “Herët në mëngjez në rrugët dhe rrugicat ende të shkreta të qytetit u lëshuan “larashët”, trupa mercenarësh pa identitet, të rekrutuar kryesisht në zonat veriore të vendit kundrejt një page prej 45 mijë lekësh të reja në muaj. …Kur disa prej klientëve deshën të ngrihen për të na ardhur në mbrojtje, njëri nga larashët, ndoshta kryelarashi, hapi këmbët midis lokalit dhe briti: Lëvizi njeri nga vendi ia hodha trutë në erë…”.
Kryelarashi që përmend analisti i njohur është i paemër, por tjetri është me emër e mbiemër, me jetëshkrim dhe bëma, nga të cilat shumë janë ende të pashlyera. Atëherë si mund të jetë ende në parlament ky njeri, i cili, pa iu dridhur zëri dhe pa i rrëkitur zemra jep urdhër të mobilizohen dhe të armatosen militantët, të hapen depot, si bëri Shaban Memia në Tiranë dhe të fillojë lufta veri-jug, një ëndërr e hershme e tij, e njëjtë me të gjitha ëndrrat e klanit serbomadh?
Opozita e sotme thekson se dekriminalizimi i kthen legjitimitetin parlamentit, pasi, mos, oh zot, në një rruginë të Kuvendit na e paskan rrahur një deputet të saj, më duket se quhet Strazimiri. Nuk kanë bërë mirë që e kanë rrahur. Nuk ndodh përherë që politikanët e vegjël rrihen me njëri-tjetrin, ashtu si nuk ndodh që çdo herë i rrahuri të ketë të drejtë. Më tregonte një herë Adem Demaçi një histori të tij me një politikan të Kosovës, ish shefi i liberalëve të Kosovës, Gjergj Deda, më dukej se quhej. Kur filloi lufta, ky Gjergji shkoi në Drenicë, në Prekaz. Kishte nam të keq ky Gjergji, megjithëse emrin e kishte të mirë. Prekazalitë menduan se kishte ardhur për të bërë ngucakeqin, dhe thonë se e rrahën. E rrahën dhe e përzunë. Gjergji ia tregoi Adem Demaçit dhe i tha, “askujt nuk i kam treguar”. Adem Demaçi e dëgjoi dhe i tha: “Boll mirë paskan bërë ata, e boll mirë paske bërë edhe ti”. Nganjëherë heshtja është flori, por, pas rrahjes, mos qofsha i gabuar ishte rrahja e dytë, opozita thirri në ndihmë dekriminalizimin. Nuk desha t’ju kujtoj se si nga ky tubim politikanësh dikur janë dhënë urdhra të mjerueshme që kanë sjellë gjak. Për të qenë më i qartë se cila është e vërteta e këtyre njerëzve që thërrasin “dhunë në parlament”, po sjell në ndihmë edhe një pasazh tjetër nga analisti Preç Zogaj.
“Kur gjithçka ishte bërë gati dhe Shqipëria po hynte plot habi në një regjim që nuk e kishte provuar qysh nga koha e pushtimit fashist, aktori kryesor, SB, u paraqit në bunker për t’u rizgjedhur president. Deputetët dridheshin nga emocionet dhe nga frika…Parku para godinës së Kuvendit ishte rrethuar me ushtarë të Gardës. Civilë të armatosur hynin e dilnin pa pushim. I shihnim nga dritaret. Mbretëronte një atmosferë kërcënuese, shpërthyese. Brenda po votohej Berisha”.
Nuk e di se cili parlament në botë ka zhvilluar deri më tash zgjedhjen e një presidenti nën tytën e civilëve të armatosur që hynin e dilnin në sallën e Kuvendit si në arat që u kishte lënë babai i tyre. As në regjimet tiranike afrikane, ku presidenti vjen nga një grusht shteti, civilë të armatosur nuk ligjërojnë me tytat e armëve. Të gjithë ata që në atë kohë, mjerisht, kanë qenë pjesë e këtij kërcënimi, më i fuqishëm se sa pushtimi fashist, nuk e kanë vendin aty. Ata, thënë shqip e shkurt: Duhet të shporren. Për më tepër asnjëri nuk është i zgjedhur nga populli, por i emëruar nga shefi i partisë, i cili, si e ka dëshmuar edhe në marsin e vitit 1997, nuk kërkon dinjitet, por kukulla lëvizëse. Eshtë gabim që është rrahur Strazimiri, a si quhet ai, por krim është të vësh parlamentin nën larashët e armatosur.
Në Shqipëri, pas janarit të vitit 1991, edhe më i çmenduri nuk do të kishte menduar se po vinte koha kur në fakt do të vendosej gjendja e jashtëzakonshme. Në fillimet e vitit 1991, presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, bëri një truk të tillë politik, kërcënoi se do të vendoste gjendjen e jashtëzakonshme, shfreu kundër gazetës “RD”, si shfrynte e gjithë ish byroja Politike, por gjendjen e jashtëzakonshme nuk e vendosi. Gjashtë vite më pas, presidenti pasardhës, që po shfaqej më në fund me të gjitha tiparet e tij çnjerëzore, vendosi gjendjene jashtëzakonshme. Ishte 2 mars 1997. Njëri nga katër vendimet e kësaj dite është edhe ai për Mobilizimin e Pjesshëm, duke ngarkuar me detyrën e Komandantit të operacionit gjeneral Bashkim Gazideden, kryetar i SHIK-ut. Pas viteve famëkëqija, 1945 – 1948, kur sigurimi i shtetit i Koxi Xoxes kishte sunduar mbi partinë, mbi parlamentin, mbi ushtrinë, kjo ishte hera e dytë që po ndodhte e njëjta zezonë. Projektuesi i kësaj zezone është ende në parlament, ai nuk duhet të jetë aty.
Preç Zogaj: Të nesërmen, më 3 mars, parlamenti që kishte marrë papritur pamjen e një bunkeri proçedoi shpejt e shpejt me ligjin tjetër”Mbi disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme”.
Nenet e këtij ligji përcillnin frymën dhe stilin e qarkoreve të kohës së luftës. Neni katër vendoste anulimin e lirisë së shtypit dhe krijimin e zyrës së çensurës. Neni gjashtë i vinte furrat e bukës nën urdhërat e “shtabeve lokale të mbrojtjes”.
Shumë nga njerëzit pranë Berishës mund të mbajnë me vete slloganin e njohur prej pak ditësh “Unë jam Charlie”, por mes tyre kanë njeriun që vendosi anulimin e lirisë së shtypit dhe zyrën e çensurës. Ata nuk mund të fillojnë purifikimin e tyre, nëse nuk heqin nga vetja të keqen që sundon.
Në parlamentin shqiptar jo të gjithë ata që janë aty e meritojnë këtë nder. Më të paktët e meritojnë të jenë zemra e koka e kombit. Më të shumtët ende nuk e di askush përse janë. Dikush sepse është militant, dikush sepse është figurë e njohur e shkencës, dikush si pasardhës i një familje të njohur, disa sepse janë të pasur, të tjerë sepse janë besnikë ndaj shefit të partisë, sepse lista i ka edhe këto qyfyre politike. Mund t’i akuzosh edhe për përfitime, për vënien pasurish, shpesh herë të dyshimtë, ashtu si edhe i përshendet për bamirësitë e tyre. Një mjek i spitalit amerikan në Tiranë më tregonte para disa javësh se nuk kanë të numëruar operacionet e zemrës që mbështeten financiarisht nga Tomë Doshi. Ndoshta çdo javë vijnë pacientë që kanë probleme me zemrën dhe thonë thjeshtë “Më ka dërguar Tomë Doshi”. Më pas ai shkon dhe bën pagesën. Ky është një shembull, por ka edhe të tjerë. Ka që kanë vënë pasuri përrallash mbi mjerimin e njerëzve. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë deputet që ka dashur të bëjë hatanë mbi popullin e tij, si ndodhi në vitin 1997 me ish presidentin Berisha dhe njerëzit pranë tij. Nuk e kam fjalën për ngritjen e një pjesë të njerëzve nga veriu si mercenarë kundër banorëve të jugut. Është fjala për një dëshmi edhe më tronditëse, e cila, edhe pse e faktuar, ka mbetur si një dëshmi e zakonshme, si të ishte fjala se është goditur me shpullë një deputet. Fjala është për lëndët helmuese luftarake.
Preç Zogaj: ” Prova e parë u bë me datën 10 shkurt. trupat e shumta të policisë të dislokuara në qytet gjatë tre – katër ditëve të fundit kishin në krye zevendësministrin e brendshëm, Agim Shehu, që njihej si dora e herkut e berishës. Sipas hetimeve që ka bërë më vonë Prokuroria ushtarake, enkas për operacionin e 10 shkurtit kundër popullsisë civile ishte prodhuar e transportuar në Vlorë lëndë helmuese luftarake”.
Parlamenti i Shqipërisë nuk ka nevojë për një njeri, që duke sjellë ndër mend një rast të ngjashëm, fatbardhsisht njerëzit ishin më të mënçur, të kujton Sali Kimikun. Do të thojë dikush, nëse nuk do të ishte Berisha e të ishte dikush tjetër, do të kishte ndodhur ndryshe. Ndoshta, por nuk jam i prirur të besoj deri në fund. Nuk jam i prirur të besoj sepse më shfaqet figura e Arben Imamit, të porsa kthyer nga Korfuzi dhe hipur mbi tank, duke e thirrur veten gjeneral; nuk jam i prirur të besoj sepse më tingëllojnë fjalët e J.Topallit se, “i vetmi gabim i Berishës në vitin 1997 ishte që nuk ju vrau të gjithëve”; nuk jam i prirur të besoj sepse më shfaqet statura e Bashës si ministër i brendshëm dhe katër të vrarët, që ende janë të pakallur. Nuk jam i prirur të besoj sepse që në fillim Berisha instaloi në partinë e tij idenë e lutës së klasave, deri në mizori dhe e bëri flamur të jetës së tij. E di po ashtu se me largimin e tij nuk ndodh edhe dekriminalizimi i një parlamenti, por do të ishte ndoshta një pikë kthese.
Ku ta dish…
Ky ishte një rrëfim në dy zëra… jeni të lirë të besoni atë që dëshironi.