A po qarkullon në Evropë një ndjenjë anti-gjermane? Kjo është pyetja së cilës ministri gjerman i Financave, Volfang Shaube, iu përgjigj duke i cilësuar si xheloze për fuqinë e Gjermanisë shtetet që ndodhen në vështirësi. Përshtypja personale e ministrit ka ngjallur shumë polemika edhe në vendet fqinje
Shpëtimi i Qipros ka vënë sërish në rrezik stabilitetin e monedhës së vetme. Tani, që të paktën në dukje, u gjet një plan për të shpëtuar nga kolapsi ishullin mesdhetar, në territorin e BE-së po fluturojnë komente mbi hegjemoninë e supozuar të Gjermanisë. Intervista me ministrin gjerman të Financave hedh dritë mbi gjendjen shokuese në të cilën ndodhet Evropa: Volfgang Shaube është i bindur se vendet e tjera anëtare të BE-së janë “xheloze” për Berlinin dhe fjalët e tij nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë mosmarrëveshjet evropiane.
Intervista shokuese
Teknokrati Shaube i lejon vetes komente pak të përshtatshme për postin e tij si ministër gjatë një interviste televizive për kanalin “ZDF”. Në përgjigje të një pyetje mbi kritikat e vazhdueshme që shtetet evropiane hedhin mbi Gjermaninë, ai thotë se opinionet negative janë të motivuara vetëm nga zilia e atyre që nuk kanë të njëjtën fuqi me Gjermaninë. Me pak fjalë, ministri shpreh një përshtypje personale mbi çështje të karakterit politiko-ekonomik dhe kjo në një klimë aktualisht kritike, në të cilën të ashtuquajturit “nxënës në vështirësi mezi e shtyjnë”. “Ndodh gjithnjë kështu, është njësoj si të gjendeshim brenda së njëjtës klasë dhe ata që kanë vështirësi janë ca xhelozë për të tjerët që arrijnë rezultate më të mira”, thotë Shaube në një transmetim të drejtpërdrejtë me “ZDF”-në. Ai thekson se “Gjermania nuk është një vend i keq, por një vend që di të marrë përsipër përgjegjësitë e tij”, duke kujtuar përfshirjen e tatimpaguesve gjermanë në plane të ndryshme të ndihmës për shtetet evropiane që ndodhen në vështirësi. Fjalët e ministrit nuk ndryshojnë gjë sepse pasojat e masave të kursimit i çojnë qytetarët në situata ekstreme varfërie e prandaj nuk mungojnë manifestimet e urrejtjes ndaj Gjermanisë, e etiketuar si shkaku kryesor i degradimit ekonomik të tyre.
Urrejtja e vendeve në vështirësi
Qiproja e shpëtuar, por me çfarë kostoje? E përditshmja gjermane “Der Spiegel” shkruan se mbijetesa është vetëm gjysma e punës, sepse ishulli është plot me “plagë të thella” të cilat duhet t’i përballojë dhe se shpëtimi kushton shtrenjtë. E dinë mirë Irlanda, Portugalia, Spanja e Greqia, që i kanë vënë një emërues të përbashkët zemërimit popullor: Anxhela Merkel. Zhgënjimi i qytetarëve nuk përjashton referime të nazizmit dhe imazhit të kancelares i shtohen mustaqet e pakëndshme: E përfaqëson Gjermania Hitlerin e ri? Në Evropë po përhapet një lloj ‘gjermanofobie’, për shkak se personat po terrorizohen nga masat shtrënguese.
Megjithatë, ministri Jashtëm gjerman, Guido Vestervel shprehet: “Ne evropianët jemi të gjithë në të njëjtën barkë dhe vetëm së bashku mund të kalojmë krizën e borxheve. Ajo që duhet është respekti dhe mendimi për një jetë të re, ndërsa paragjykimet duhen lënë mënjanë”. Me pak fjalë klasa politike në Gjermani mban distancë nga referimet që e afrojnë me të kaluarën e saj të tmerrshme. Ndërkohë, në rrugët e Nikozisë qytetarët manifestojnë me parrulla që denigrojnë figurën e Merkelit duke e etiketuar naziste. Por, qeveria federale shpreson që plani i shpëtimit të Qipros të funksionojë sepse vetëm kjo mund ta mbrojë nga kritikat e reja.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
Gjermanofobia :)))