Ndërsa policia dhe prokuroria po hetojnë për zhdukjen e Julian Çelës, një ngjarje e ndodhur dy ditë më parë që lidhet me këtë rast është denoncuar sot në media. Pronarët e qendrës së internetit ku u pa për herë të fundit Julian Çela thonë se dy ditë më parë, dikush ka tentuar të djegë biznesin e tyre të vogël. Djali i pronares së internet kafesë, në një prononcim për televizionin NEWS 24 tha se dera e sallës në rrugën “Pandi Dardha” ishte lyer me benzinë, një fakt për të cilin është vënë menjëherë në dijeni edhe policia.
Julian Çela, djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, rezulton i zhdukur prej 30 nëntorit 2012. Të dielën e kaluar, Ardian Prrenjasi deklaroi në polici se ishte ai autori i vrasjes së Julianit 11-vjeçar, trupin e të cilit e kishte hedhur në landfillin e Sharrës.
Djali u pa për herë të fundit në qendrën e internetit, nga ku doli pasi dikush e kërkoi përjashta, për të mos u kthyer më kurrë.