Sipas Komunës së Prishtinës, Lulzim Basha do shpallet “qytetar nderi”. Po sipas Komunës, Basha ka reflektuar përkushtim dhe përkrahje të parreshtur gjatë procesit të pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës. Para se të lëshohet në arsyetime të tilla bajate, zotërinjtë e Komunës së Prishtinës do të duhej të shpjegonin (po që se e dinë dhe besoj që e dinë) se cili ka qenë kontributi konkret i Bashës gjatë kohës sa ka punuar në UNMIK. Po ashtu, do të bënin mirë të sqaronin se cilat janë rezultatet konkrete të përkushtimit të tij për pavarësinë dhe rrugën europiane të Kosovës dhe çfarë, konkretisht, paska bërë për bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.
Pse, vërtet pse ai e merituaka një titull të tillë? Zakonisht, ata që nderohen me tituj nderi duhet të shërbejnë si modele pozitive për të tjerët. Cili është modeli Basha?
A është model ai i udhëheqjes nga ana e tij të Ministrisë së Punëve Publike e Transportit, kohë gjatë së cilës u ngritën dyshime serioze për keqpërdorime financiare të ndërtimit të rrugës Durrës – Kukës?
A është model ai i udhëheqjes nga ana e tij të Ministrisë së Brendshme, kur u vranë katër qytetarë të pafajshëm në qendër të Tiranës vetëm pse nuk pajtoheshin me qeverinë e tij?
A është model ai i ardhjes së tij në krye të Tiranës, praktikisht duke vjedhur fitoren në zgjedhjet e kaluara lokale?
A është model qasja e tij konfliktuoze dhe hiç etike e të bërit politikë? Nëse këto janë merita për të cilat ai duhet nderuar, atëherë udhëheqje dhe komunarët e kryeqytetit kanë bërë një huqje të madhe.
Kur më 11 qershor Basha do të shpallet “Qytetar Nderi” i Prishtinës, kryeqytetit kosovar nuk do t’i shtohet një vlerë, as një qytetar i përgjegjshëm dhe i merituar. Askush nuk ka pse të krenohet me kanakarin e Sali Berishës. Sepse, ai nuk e ka merituar me asgjë nderin e prishtinasve. Në këtë rast, nderimi i tij nuk është asgjë më shumë se lojë politike e LDK’së, në një garë pa kuptim me parti rivale se kush po nderon më shumë aleatë të supozuar politikë andej kufirit.
Shumë, sa shumë njerëz në Shqipëri e meritojnë nderin që i bëhet Lulit. Njerëz që kanë ndihmuar kosovarët në kohë të vështira, atëherë kur Luli dhe shefi i tij kishin të tjera prioritete. Por jo, Kuvendi i Prishtinës së LDK’së ka vlerësuar se ai është i duhuri. Në bazë të cilave kritere – dreqi e merr vesh. Përveç Lulzim Bashës, edhe një tjetër emër i Partisë Demokratike ka shansa të nderohet me titull nderi në Kosovë – Jozefina Topalli. Qëllojani me propozim të kujt? Të LDK’së, natyrisht, respektivisht këshilltarëve komunalë të kësaj partie në Malishevë.
Burrave dhe grave lëdëkëiste iu ka mbushur mendja që Topalli t’iu bëhet formalisht bashkëqytetare dhe, po që se miratohet në Kuvendin Komunal kërkesa e tyre, ajo do të nderohet po sikurse Luli. Se cili është kontributi i saj për Malishevën – vetëm dreqi dhe LDK’ja e marrin vesh. Ashtu siç mund ta dijë vetëm dreqi se deri kur do të vazhdojnë marrëzitë dhe paturpësitë e tilla dhe a ka kush që i ndalë ato. Para se të bëhemi gazi i botës, nëse deri tash s’jemi bërë të tillë.
Imer Mushkolaj, Publicist, Prishtinë