Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame prezantoi para deputetëve ndryshimet në ligjin e legalizimeve, që i hapin rrugë përfshirjes në proces të rreth 60 mijë objekteve të ndërtuara pa leje pas janarit të 2009-s.
Këto objekte, të ndërtuara në tokë shteti apo tokë të të tretëve, nuk mund të legalizoheshin për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal, që i cilëson si vepra penale.
Ndryshimi i ri në ligj, i propozuar nga qeveria në harkun e 18 muajve, do të bashkëshoqërohet edhe me një amnisti për mos penalizimin e këtyre ndërtuesve.
Por procesi me shpërndarje certifikatash në mënyrë publike, veçanërisht në këto ditë të fushatës elektorale, nuk i ka shpëtuar debatit.
Opozita e cilësoi spektakël, ndërsa deputetë të mazhorancës kërkuan afate konkrete për qytetarët që plotësojnë dosjen për legalizimin e objekteve të tyre.
“Ajo që kemi bërë, që i ndan kryeministri është për të rritur besimin e qytetarëve”, deklaroi Lame.
“Një qytetar duhet të ketë afate, jo të presë spektaklin e radhës”, tha deputeti i PS, Artan Gaçi.
“Qeveritë në fillim vënë afate, pastaj shtyjnë e shtyjnë afatet për shkak fushatash. Rilindja nuk paska ndonjë ndryshim”, tha nga ana tjetër deputeti demokrat, Genc Ruli.
Nga ana e tij, kreu i ALUIZNI-t tha se, nga 350.000 objekte pa leje, 50.000 janë legalizuar nga viti 2005. Nga 300 mijë objekte të mbetura, 200 mijë janë në zona informale dhe parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2017.
Ndërsa 100 mijë të tjera që gjenden në qytete kërkojnë më shumë kohë, sepse paraqesin situata specifike të ndërlikuara.