Të martën më 28 janar, gjykata administrative në Besançon refuzoi kërkesën e Leonarda Dibranit dhe familjes së saj për t’u rikthyer në Francë. 15-vjeçarja rome nga Kosova ishte dëbuar bashkë me prindërit dhe motrat e saj nga Franca më 9 tetor, pasi policia e kishte zbritur atë me dhunë nga autobusi i shkollës. Në motivimin e vendimit, gjykatësit pohuan se dëbimi i familjes rome është i mbështetur nga ligjet e vendit kundrejt personave që nuk zotërojnë dokumente të rregullta.
Aktualisht Leonarda Dibrani dhe të sajët ndodhen në Mitrovicë, ndërsa u vunë në dijeni të vendimit të gjykatës nëpërmjet telefonit. “Më mirë të na kishin vrarë, sepse këtu nuk ka jetë. Kjo nuk është drejtësi, por padrejtësi. Do të vetëvritem sepse këtu nuk kam jetë”, komentoi vajza për mediat franceze që u interesuan sërish për çështjen e saj.
Tetorin e kaluar, rasti i Leonardës kishte shkaktuar reagime të forta në Francë, mbi të gjitha kundër ministrit të Brendshëm, Manuel Valls, prej kohësh i kritikuar për qëndrimet e tij shumë të ashpra kundër romëve.
Pas protestave disaditore të francezëve në mbrojtje të rastit të adoleshentes kosovare, presidenti Francois Hollande, doli me një deklarata ku nënvizonte se 15-vjeçarja mund të vinte në Francë për të studiuar, por jo me familjen e saj.
Ndërkohë procesi i dëbimit të familjes ilegale në këtë vend ishte vene në zbatim. Leonarda kishte hyrë në Francë me familjen 4 vjet më parë dhe bashkë qëndronin në një qendër pritjeje për emigrantët, në komunën Levier.
“Vendi im është Franca. Këtu vuajmë urinë, na kanë sjellë që të vdesim. Avokati na ka thënë që të mos dëshpërohemi sepse kemi të drejtën e apelit, por unë nuk besoj më te drejtësia”, shton Leonarda.
Babai i saj, Resat Dibrani, që në të kaluarën kishte kërkuar azil politik disa herë, duke pohuar se kishte pësuar persekutime në Kosovë, gjithashtu pranoi se kishte gënjyer në kërkesat e tij rreth origjinës së familjes së tij. Në të vërtetë, vetëm njëri nga fëmijët kishte lindur në Francë: gjashtë të tjerët në Itali dhe asnjëri në Kosovë, ku jetojnë tani.
Avokati i familjes Dibrani tha se në Kosovë fëmijët nuk shkojnë në shkollë dhe se e drejta e tyre themelore për t’u arsimuar është dhunuar. Por, avokati i palës kundërshtare përgjigjet se “kërkesa e tyre për azil ishte bazuar mbi një gënjeshtër”./D.Gjuzi
Një vajzë 15 vjeçare . gjykon ” drejtësinë ” në shoqërinë ” moderne ” .. Nuk ke çtë komentosh më shumë , kur racizmi ka marrë pamje ” moderne ” duke u kamufluar si kamaleon , në varësi të kohës ..
Sigurisht nuk jam për gjërat e kundërligjshme , por , përderisa e lejon t[ hyj[ë , të jetojë kaq kohë , dhe pastaj i thua ik .. Kjo nuk është ligjshmëri por thjeshtë padrejtësi ..
Më vjen shumë keq !!