Letër e nënshkruar
Skënder Kameniku
Z.Lulzim! Shoqata Uniteti Kombëtar i Pensionistëve të Pleqërisë për rrethin e Tiranës ka në gjirin e vet rreth 500 anëtarë, të cilët paguajnë kuotat e anëtarësisë. Kjo shoqatë funksionon prej 12 vjetësh. Gjatë këtyre viteve, për të mbuluar shpenzimet tona kemi pasur mbështetje nga shoqatat bamirëse, biznesmen të veçantë dhe komunitete fetare. Po bëhen dy vjet qe nuk kemi marrë asgjë, se fondet na u prenë. Aktualisht jemi në vështirësi financiare. Tre muajt e fundit nuk kemi paguar qeranë dhe pronari në fundin e muajit prish kontratën me ne. Para dy viteve kemi kërkuar takim me ju dhe në pritjen që na rezervuat kemi parashikuar më hollësisht gjendjen dhe problemet. Në përfundim kemi ngarkuar këshilltaren tuaj për të siguruar zgjidhjen e problemit. Konkluzioni: Pritja ishte shumë e ngrohtë, morët përsipër zgjidhjen e problemit, por rezultati nuk u arrit.
Megjithëse ne vazhdimisht kemi kërkuar sqarime nga këshilltarja juaj, kemi bërë dhe letra në adresën tuaj e përsëri asnjë rezultat.
Të bindur se problemi ynë është tepër emergjent, edhe një herë parashtrojmë kërkesën për një takim të dytë me ju. Ne jemi përgatitur t’ju ofrojmë dhe rrugët e zgjidhjes që mbështeten ne legjislacionin në fuqi, veçanërisht për pushtetin vendor. Ju lutemi merreni në konsideratë kërkesën tonë. Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm Skënder Kameniku