Një 44-vjeçar i shumëkërkuar prej shumë vitesh nga Italia, është arrestuar dje nga policia e Lezhës pas një operacioni të befasishëm. Burime zyrtare nga komisariati njoftuan se lokalizuan në lëvizje mëngjesin e djeshëm në qytet, të dyshuarin Paulin Jaku, banues në fshatin Pllanë, i cili ishte edhe në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, ndërsa ka qenë i dyshuar edhe për krimin e vrasjes dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Policia nuk dha shumë detaje rreth të kaluarës së Jakut, por bëri me dije se kërkohej prej drejtësisë për një vrasje të ndodhur në vitin 1996 në këtë zonë. Gjithashtu mësohet se ai është i dyshuar edhe në krimin e trafikut të drogës, që mendohet se e ka konsumuar jashtë vendit dhe kërkohet nga autoritetet italiane. Mësohet se Gjykata e Milanos ka dhënë vendimin ndaj tij dhe do të ekstradohet së shpejti. Për krimin e kryer në Lezhë më 1996, vazhdimisht është hetuar por pa prova bindëse dhe ka pasur vetëm dyshime.