Ndryshimet në ligjin kundër konsumit të duhanit në ambientet publike pritet të hyjnë në fuqi në javën e fundit të muajit gusht. Pas miratimit në Kuvend, ndryshimet ligjore janë publikuar në Fletoren Zyrtare për të nisur zbatimin pas 15 ditësh. Ndër të tjera, në ligjin e ri parashikohet një rritje e konsiderueshme e masës së gjobave ndaj pronarëve të lokaleve dhe administratorët e tyre që nuk respektojnë ligjin. Po ashtu, një risi tjetër është se për herë të parë, ligji parashikon dënimin me gjobë në masën 5 mijë lekë edhe për klientët që konsumojnë duhan në ambiente ku është i ndaluar konsumi. Në ligj parashikohen gjoba në vlera të konsiderueshme, që nisin nga 300 mijë lekë për bizneset, në 50 mijë lekë për personin përgjegjës në institucionet publike apo për administratorët e deri në 5 mijë lekë për duhanpirësin. Të ardhurat nga gjobat do të shkojnë në buxhetin e shtetit. Edhe para miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore, në radhët e deputetëve ka pasur mjaft skeptikë, kjo edhe për faktin se ka pasur edhe tentativa të mëparshme por të pasuksesshme për të ndaluar konsumin e duhanit në ambiente publike.