Andi Lila është kthyer në hero në Parma. Futbollisti i Kombëtares ka shënuar dje golin e barazimit 1–1 në përballjen me Inter e luajtur në “San Siro”. Paraqitja e Lilës është vlerësuar edhe nga sportivja më e madhe italiane “Gazzetta dello Sport”. Në shkirmin e ditës së diel përmendet fakti se golat e shqiptarit janë realizuar në fushë kundërshtare. Andi Lila ka një mesatare tepër të lartë, 2 gola në 4 takime në Serie A. Cilësitë e tij si një futbollist i aftë të mbrojë dhe të sulmojë kanë lënë një përshtypje të mirë. Me vetëm 192 minuta lojë ai është kthyer në shënuesit më të mirë te Parma.
Ai nuk harron të kujtojë vendlindjen e tij duke bërë shqiponjën sa herë dërgon topin në rrjetë. “Gazzeta dello Sport” citon se në vendin e tij Lila njihet me nofkën “luftëtari”. 29-vjeçari mbërriti në Itali në një periudhë të vështirë për klubin emilian, por menjëherë u dallua për vendosmërinë e tij në fushë. Në artikullin kushtuar Andi Lilës përmendet fakti se ai ka ende pa marrë disa rroga nga Janina, ndërsa te Parma ende nuk është paguar asnjë euro deri tani. Një shenjë e qartë që nuk është i interesuar më shumë për paratë se sa për futbollin.
Me Kombëtaren ai ka zhvilluar 52 takime duke u kthyer në një pikë kyçe për ekipin e Gianni De Biasit. Në shkrim përmendet fakti se Andi sapo është bërë baba. Djalin e ka quajtur Ayan. Mbrojtësi i kuqezinjve, por që te Parma aktivizohet si mesfushor, po përpiqet të mësojë italishten dhe të përfitojë sa më shumë nga kultura vendase.
I vendosur në stërvitje ku i nis përgatitjet i pari dhe largohet nga fusha i fundit. I ndrojtur dhe i sjellshëm është ai që i zgjidh problemet. Musliman si shumica e shqiptarëve frymëzohet te Kurani: “Pas vështirësive vjen lehtësimi”.
fjalite e fundit na poshterojne.