Kanë shpërthyer thashethemet në Rusi mbi lindjen e fëmijës së dytë të presidentit Vladimir Putin. Thuhet se gjimnastja bukuroshe Alina Kavajeva i ka dhuruar atij një vajzë, pas djalit të lindur tre vjet me parë, për të cilin vajza është shprehur se e ka nip
Sa herë përmendet emri i Vladimir Putinit, dridhet e gjithë Rusia, por ditët e fundit emri i tij dhe i të dashurës së tij sekrete, Alina Kavajeva, po lakohet së tepërmi, pasi është mësuar që çifti ka sjellë në jetë fëmijën e dytë të tyre. Ish-gjimnastja 29-vjeçare, Alina Kavajeva, që sot ulet në radhët e parlamentarëve rusë, ka lënë mbas krahëve një karrierë modeleje, aktoreje, por mbi të gjitha atë të kampiones së gjimnastikës ritmike. Ajo ka fituar gjithsej 33 medalje ari, 10 argjendi dhe 6 bronzi në olimpiadat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Fama për bukurinë dhe sensualitetin e saj i ka kaluar kufijtë e Rusisë.
Ishte pikërisht e përditshmja “New York Post” ajo që zbuloi sekretin e lindjes e vajzës së tyre nëntorin e kaluar. Por prej ditës së martë nuk flitet për gjë tjetër nga pallati i Kremlinit e deri në Siberi , sepse mendohet se e porsalindura është fëmija i dytë i çiftit Putin-Kavajeva. Revistat e thashethemeve i atribuojnë atij edhe djalin 3-vjeçar, Dimitrin, që jeton me të ëmën në rezidencën luksoze të Putinit në qytetin Soçi, buzë Detit të Zi. Është pikërisht ai vogëlushi të cilin Kabaeva tha se e kishte nip për revistën “Vogue” në versionin rus.
Nga ana tjetër, marrëdhënia klandestine e Putinit me Alinën daton që nga fillimi i vitit 2008, kur ajo ishte vetëm 24 vjeç, ndërsa Putin 56 dhe nuk ka sesi të mos besohet se të dy fëmijët janë fryt i dashurisë pesëvjeçare mes çiftit. Ishte gazeta “Moskovsky Korrespondent” që e publikoi e para lajmin për lindjen e Dimitrit dhe që gjithashtu hodhi hipotezat e divorcit të Putinit me gruan e tij Ludmillën. Brenda pak ditësh nga dhënia e lajmit, ajo u detyrua të mbyllej. Por tani për Ludmilla Putinin nuk dihet asgjë. Ajo është vënë në qendër të një misteri, i cili ka zënë fill që nga dita e përurimit të Putinit si president në Kremlin. Sipas disa spekulimeve, ajo ndodhet aktualisht në një “burg të artë”, prej 1.5 milionë dollarësh, diku në kufi me Estoninë dhe aq larg sa për të mos turbulluar jetën e ish-bashkëshortit të saj dhe përrallën e “careshës sekrete”, Alina Kavajevës.
Përgatiti: Dorina Gjuzi