Portali italian i sportit “Sport Mediasset”, pas një studimi të detajuar ka publikuar listën e 500 futbollistëve që luajnë në klube të ndryshme të Europës dhe që në fund të sezonin konsiderohen alternativa të mundshme në merkaton e verës. Në këtë listë të gjerë janë përfshirë të paktën 8 lojtarë të Kombëtares shqiptare, për të cilët jepen shifrat e vlerës së kartonit si dhe shumës që përfitojnë brenda një sezoni, detaje këto që u vlejnë skuadrave të interesuara për shërbimet e tyre. Kështu futbollisti kuqezi që ka vlerën më të lartë të kartonit është Lorik Cana i Lacios, kartoni i të cilit mund të blihet për 6 milionë euro, ndërsa shuma që 29-vjeçari përfiton çdo vit është 1.7 milionë euro. Pas Canës vjen portieri 24-vjeçar i Palermos, Samir Ujkani, i cili vlerësohet 3 milionë euro me një rrogë vjetore 350 mijë euro. Migjen Basha i Torinos, i ditëlindjes 1987, e la çmimin e kartonit 1.5 milionë euro, ndërsa rroga e tij arrin shifrën 300 mijë euro në sezon. I transferuar në janar te Katania, kartoni i Edgar Canit vlerësohet 1 milionë euro, ndërsa përfitimi vjetor i vetë futbollistit kap shifrën e 150 mijë eurove, bën të ditur Supersport.
Për të blerë mbrojtësin e Empolit, Elseid Hysaj, duhet të paguash 900 mijë euro, ndërsa rroga e tij aktuale është 20 mijë euro në sezon deri më 2015. 600 mijë euro kushton kartoni i Jahmir Hykajt, i cili përfiton 200 mijë euro në sezon te Lucerna në kampionatin zviceran.
Erjon Bogdani dhe Armando Sadiku, kontrata e të cilëve me Sienën dhe Luganon skadon në përfundim të sezonit, mund të merren me parametër zero, ndërsa rroga e dy sulmuesve është 250 mijë euro për 36-vjeçarin nga Tirana dhe 100 mijë euro për 22-vjeçarin nga Elbasani.