Një 47-vjeçar humbi jetën tragjikisht mes flakëve ditën e djeshme në fshatin Çermë të Lushnjës. Edmond Gjoni nuk mundi të dilte i gjallë, teksa banesa e tij është përfshirë nga flakët, ndërsa paraprakisht mësohet se viktima ishte në gjendje të dehur dhe mund ta ketë vendosur zjarrin qëllimisht ose aksidentalisht.
Nga hetimet paraprake mësohet se ai është kthyer i dehur në banesë dhe ka debatuar, ndërsa më tej i ka vënë zjarrin shtëpisë. Zjarrfikëset janë nisur menjëherë në vendin e ngjarjes të njoftuar nga familjarët dhe kanë filluar punën për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa nuk ka informacion se sa persona ndodheshin në banesë në momentin e rënies së zjarrit.
Blutë e Lushnjës janë nisur gjithashtu në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar punën për zbardhjen e rrethanave. Policia tha se dyshohet që Gjoni të ketë spërkatur shtëpinë me benzinë dhe më pas e ka djegur, duke humbur edhe vetë jetën, pas asfiksisë dhe flakëve të fuqishme.