Kërkohej prej 6 vitesh nga drejtësia italiane për krimin e vrasjes, kapet i fshehur në fshatin Mërtish të Lushnjës 43-vjeçari. Policia vendore njoftoi dje se lokalizoi dhe prangosi orët e para të mëngjesit të djeshëm për qëllime ekstradimi, Ardjan Allkanjarin. Sipas urdhrit ndërkombëtar të arrestit, Gjykata e Milanos Itali, më datë 8 korrik 2008, ka lëshuar fletë-arrestin për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, sipas Nenit nr. 4 të Kodit Penal të vendit fqinj. Po kjo gjykatë e ka dënuar në mungesë Allkanjarin me 9 vjet dhe 11 muaj burgim për këtë akuzë. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Lushnjë, për veprime të mëtejshme, me qëllim ekstradimin në Itali. Është vënë në dijeni edhe Interpol Tirana dhe Roma për të nisur dokumentacionet dhe pritet dalja në gjykatë e 43-vjeçarit për masë sigurie. Dy ditë më parë u kap në Durrës Elton balliu, i dënuar me 26 vite burgim në Itali, po për krimin e vrasjes.