Venezuela zgjedh presidentin e ri. Nikolas Maduro, njeriu më i besuar i ish-presidentit të ndjerë Hugo Çavez, ka fituar garën presidenciale me 50,66% të votave, kundër 49,07% të kandidatit të opozitës, Henrike Kapriles. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga presidenti i Këshillit Kombëtar Elektoral, Tibisei Lucena. Rezultati është përfundimtar, pasi fletëvotimet e panumëruara ende nuk mund ta përmbysin atë.
Venezuela mban zgjedhje presidenciale për herë të dytë brenda gjashtë muajsh. Në 7 tetor, Hugo Çavez mundi Kaprilesin me 55,07% të votave kundrejt 44,31% të rivalit.
Maduro ka lëshuar apelin për paqe dhe dashuri, pasi deklaroi se diferenca prej të paktën 300 mijë votash e bën fitoren e tij vendim popullor. Presidenti që mori zyrtarisht detyrën, pasi faktikisht ushtronte funksionet pas vdekjes së Çavezit, tha se nuk do të kërkojë rinumërim të votës, pavarësisht pretendimeve të opozitës për parregullsi.
Kandidati i opozitës, Henrikue Kapriles, tha se i humburi është vetë Maduro dhe opozita nuk ka ndërmend të njohë fitoren përsa kohë nuk janë verifikuar 100 për qind e votave. Kapriles tha se do t’i japë shtypit ndërkombëtar informacionet e mbledhura nga militantët e tij në lidhje me të paktën 3200 raste incidentesh, të cilat e bëjnë të domosdoshëm rinumërimin e votave. / Gazmira Sokoli