Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, sjell përmes Facebook-ut kujtime të viteve të para pas krijimit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar. Majko, ish-drejtues dhe ndër themeluesit e të forumit të të rinjve socialistë ka ndarë me miqtë e tij në Facebook historinë e ndryshimit të stemës së FRESSH-it.
“Kjo është tesera e parë e anëtarësisë së Forumit Eurosocialist. Po vjen 15 janari i FRESSH-it! Të mendosh se kjo histori filloi me 6 vetë…Për të vazhduar në mijëra të tjerë në të gjithë vendin. Kjo është pjesa më e bukur e historisë politike të Partisë Socialiste. Lulëkuqen që mua më pëlqente veçanërisht u hoq më vonë edhe nga stema fillestare e PS-së, pasi “ishte lule me përmbajtje lëndësh narkotike” dhe duhej të shkonim tek “trëndafili” i së majtës europiane… “, shkruan ish-kryeministri Majko.
Më tej, deputeti socialist vijon: “Për të treguar rëndësinë e FRESSH-it të kohës stema e PS kishte “dy trëndafila”, ai i paçeluri përfaqësonte rininë eurosocialiste… Pastaj edhe neve na u hap “gonxhja”… Duket sikur është dje! Dhe historia vazhdon!”.
Në datë 15 janar, FRESSH feston përvjetorin e 21 të themelimit. Ceremoni që do të mbahet për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme për socialistët do të shënojë edhe nisjen e fushatës elektorale të PS-së.