Deputeti socialist Arben Malaj, në një intervistë për Gazetën Shqiptare, thotë se rotacioni politik është i detyrueshëm dhe i mundshëm. Duke u shprehur i bindur për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit, Malaj shprehet se PS-ja, në të gjitha mandatet e saj ka qenë partia më e hapur për aleanca.
Duke qëndruar te aleancat e mundshme, Malaj thotë se ato janë pjesë e taktikave për të fituar, por PS synon aleanca të efektshme dhe jo aleanca të presjeve dhjetore.
“Pyetja e shqiptarëve që e duan dhe e mbështesin rotacionin politik përballë PS-së, është si dhe sa PS-ja do t’i përmbushë shpresat e tyre? Aleancat kanë vendin dhe peshën e tyre në taktikat e fitoreve. PS-ja në të gjitha mandatet e saj ka qenë partia më e hapur për aleanca. Strategjia e fitores së PS-së duhet të ketë në zemër të saj maksimizimin e të gjitha kontributeve dhe angazhimeve që kanë anëtarët dhe mbështetësit e saj. Duke u rritur, PS-ja mund të ndërtojë aleanca shumë më të efektshme sesa thjesht disa përllogaritje aritmetikore të koalicioneve para apo paszgjedhore. Një parti më e madhe dhe e përkushtuar për sfidat e vendit të saj, mund të realizojë aleanca shumë më të efektshme, në funksion të prioriteteve të vendit dhe jo aleanca të presjeve dhjetore”.
Qëndrimet kritike në PS
Modernizimi dhe demokratizimi i jetës politike në çdo vend imponon demokratizimin dhe modernizimin e partive politike, duke filluar me programet e tyre politike, me parimet e organizimit dhe promovimit, me raportet me meritokracinë dhe luftën kundër nepotizmit, korrupsionit dhe kundër kapjes së shtetit. Nuk kam ngurruar dhe nuk do të ngurroj të diskutoj, brenda PS-së dhe me opinionin publik, lidhur me sfidat e përbashkëta të demokratizimit dhe modernizimit të politikës. Të zgjedhurit në përfaqësimet politike duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të plotësuar detyrimet kushtetuese dhe morale ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Aty ku dështojnë partitë politike pa dyshim që dështon edhe vendi. A nuk është PD-ja dhe qeveria e saj sot një shumatore ushtarësh të bindur deri në keqardhje edhe e disa investimeve afatgjata në politikën shqiptare?! PS-ja i ka të gjitha mundësitë që, duke u fokusuar tek avantazhet e saj, të bëja të mundur rotacionin politik në vend dhe të përmbushë detyrimin për të ndalur keqqeverisjen e vendit. Ky është një proces i cili ndërtohet me shumë vështirësi dhe prishet shumë lehtë. Kolegë në PS që kanë theksuar domosdoshmërinë e përsosjes së procesit dhe kohës së përzgjedhjes të përfaqësuesve të saj politikë, duhen dëgjuar dhe respektuar me shumë dashamirësi.
Qeverisja e socialistëve pas 23 qershorit
Ndoshta ka më shumë vlerë të qartësojmë cilat janë prioritetet e vendit. Po ndaj me lexuesit tre prej tyre. Së pari: Të reduktojmë në maksimum tensionimin politik në vend përpara zgjedhjeve që qeveria e ardhshme ta ketë të përgatitur ndryshimin e ambientit politik në të cilin duhet të punojë. Çdo rritje e temperaturës politike – një situatë paraelektorale gjashtëmujore e tensionuar – e vështirëson arritjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, e dëmton më shumë ekonominë, bën të pamundur ndaljen e ciklit të krizave, të cilat vështirësojnë qeverisjen e ardhshme dhe zgjasin dështimet tona të përsëritura.
Së dyti: Një program pro rritjes ekonomike, me elementë dhe afate konkrete të çlirimit të rritjes ekonomike në vend nga korrupsioni epidemik, kapja e shtetit dhe përkeqësimi i administratës publike në shërbimet më jetike të shqiptareve, arsim, shëndetësi dhe mundësisë për biznes. Pa çliruar rritjen ekonomike të vendit tonë, pa i dhënë frymëmarrje ekonomisë së vendit tonë, pa synuar që pa vonesë t’u kthehemi ritmeve të larta të rritjes ekonomike, rrezikohet që rritja ekonomike të jetë e ulët, që punësimi të jetë i dobët, që varfëria të jetë e madhe, që defiçiti, borxhi dhe kostoja e tij të jenë në rritje dhe të bëhen një barrë akoma më e rëndë për shqiptarët. Peshën kryesore në këto sfida e luan biznesi; qeveria e lehtëson ambientin e biznesit duke ulur kostot dhe pengesat. Vetëm në momente të krizave dhe për një periudhë jo të gjatë, me ndërhyrje të mirëstudiuar qeveria stimulon ekonominë, duke ndalur përkeqësimin dhe duke lehtësuar ringritjen e saj. Së treti: Qeverisja e ardhshme, qeverisja e PS-së, për shkak të përkeqësimit të përditshëm të qëndrueshmërisë së financave publike, që në ditët e saj të para duhet të qartësojë përgjegjshmërinë e saj ndaj stabilitetit të financave publike, si do të ndalet rritja e borxhit dhe si do të ulet ai në një periudhë afatmesme. Kjo do të kërkojë një raport më të mirë të ndarjes së përmirësimeve të mirëqeverisjes, midis pjesës që duhet të asistojë shtresat më të goditura nga keqqeverisja dhe kriza, si dhe pjesës që do të destinohet për uljen e borxhit dhe kostos së tij. Një përgjegjshmëri e tillë do të reduktojë risqet për premtime populiste përpara zgjedhjeve dhe për projekte populiste pas zgjedhjeve. Të jemi të bindur që votuesit shqiptarë meritojnë më shumë përgjegjshmëri se populizëm. Shqiptarët në Greqi dhe Itali janë të bindur për pasojat e rënda të politikanëve populistë. Ndaj, PS-ja nuk ndjek garën e premtimeve populiste të Berishës, por do të kërkojë besimin dhe solidaritetin e votuesve shqiptarë për domosdoshmërinë e disa masave kritike menjëherë, sepse nesër do të jetë shumë vonë dhe pasojat, shumë më të rënda. / Marrë nga Gazeta Shqiptare