Trupi i një të riu u gjet i pajetë nga banorët e zonës së Mallakastrës mëngjesin e djeshëm, ndërsa policia heton në pistën e vrasjes, pasi kishte plagë të rënda të shkaktuara me mjete të forta. Policia vendore tha se trupi u lokalizua në vendin e quajtur “Mali i Goricës”, i cili ndodhet midis fshatit Aranitas dhe Kalenjë në Mallakastër. Pas hetimeve të para nga policia që shkoi në vendngjarje, viktima u identifikua si Jetmir Laze, 32 vjeç, banues i fshatit Kalenjë. Trupi u zbulua shumë afër banesës së tij dhe mendohet se krimi është kryer orët e vona të mbrëmjes së hënë, teksa kthehej në banesë. Grupi hetimor, ka shoqëruar disa banorë të dy fshatrave dhe marrë në pyetje familjarët e të ndjerit. Ekspertët konstatuan se kishte plagë të rënda në kokë dhe trup. “Nga veprimet e para proceduriale dyshohet që viktima të jetë vrarë me mjete të forta”, tha policia. Dyshohet se shkak mund të jetë një krim për motive të dobëta, hakmarrja ose grabitja. Dëshmitë e familjarëve dhe banorëve pritet të zbardhin autorin dhe motivet e vërteta të krimit.