Nga Sinisa Jakov Marusic, BIRN
Partia qeverisëse e Maqedonisë ka tërhequr tallje pasi ka blerë një grup pikturash të realizuara në stilin e vjetër sovjetik të “realizmit socialist”, që shfaqin udhëheqësit e saj në skena të madhështisë dhe fitores.
NOVA TV, duke cituar burime anonime, tha se partia VMRO DPMNE ka porositur vepra arti për të zbukuruar selinë e re të partisë në qendër të Shkupit.
Një pikturë e rrjedhur në publik tregon liderin e VMRO DPMNE, ish kryeministrin Nikolla Gruevski, në qendër të një tubimi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Borkica, ndjekur nga bashkëpunëtorët e partisë dhe ministrat e qeverisë.
Një tjetër pikturë e shfaq atë duke dhënë një fjalim në selinë e partisë përballë një baneri ku shkruhet “Maqedonia ka forcë!” dhe i rrethuar nga bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij që e brohorasin, të cilët me sa duket festojnë një fitore zgjedhore.
Një pikturë e tretë e përshkruan Gruevskin në vitet e para të karrierës së tij politike, kur ai ishte ministër i financave në qeverinë e Lubço Georgievskit i cili është portretizuar si figura qendrore.
Një tjetër pikturë portretizon udhëheqësit e vjetër dhe të rinj të partisë ulur në një tryezë, duke supozuar sikur ky ishte çasti kur strukturat e vjetra të partisë të Georgievskit i dorëzojnë kontrollin Gruevskit, më shumë se dhjetë vjet më parë.
Sipas burimit anonim të televizorit, më e madhja e serisë prej rreth 50 piktura është një portret 4 me 8 metra i Gruevskit me gruan e tij, Borkicën, dy vajzat dhe nënën e tij, Nada. Kjo nuk është paraqitur në publik.
I njëjti burim tha se blerja do të kushtojë më shumë se një milion euro në total, edhe pse nuk është e sigurt nëse kjo është e vërtetë.
Që prej publikimit të pikturave javën e kaluar, partia në pushtet ka refuzuar të komentojë, pa mohuar apo konfirmuar vërtetësinë e artit.
Megjithatë, veprat e artit të stilit sovjetik kanë shkaktuar një ortek komentesh në rrjetet sociale – disa prej tyre komplimentuese.
“Ideja e pikturave dhe konteksti i tyre i përgjithshëm tregojnë se ambiciet e Gruevskit janë në një linjë me diktatorët e të pasluftës si Enver Hoxhë, Sadam Husein dhe dinastia e Kim të Koresë së Veriut,” tha novelisti Robert Alagjozovski.
Aktivistja e të drejtave të njeriut Mirjana Najcevska tha se ikonografia e pikturave “e fut VMRO DPMNE… në grupin e partive autoritare që funksionojnë në kundërshtim me vlerat themelore kushtetuese të vendit tonë”.
Analisti politik Sefer Tahiri e ka përshkruar tonin e përgjithshëm të pikturave si “etno-nacionalizëm i kombinuar me populizëm, që manifestohet nëpërmjet kuazi-artit.
“Jam i befasuar të zbuloj se politikanët në vitin 2016 po përpiqen ta shfaqin veten si udhëheqës komunistë të bllokut lindor, sidomos duke e ditur se VMRO DPMNE është një parti e djathtë.”
“Këto vetë-projektime përmes pikturave artistike kanë një efekt të kundërt me demokracinë dhe vlerat liberale që po përpiqemi të arrijmë,” i tha ai DË.
Ndërkohë protestuesit anti-qeveritarë kanë marshuar në Shkup çdo ditë, duke kërkuar reforma dhe duke bërë thirrje që zyrtarët e qeverisë të përballen me drejtësinë për akuzat kriminale ndaj tyre dhe kanë prodhuar versionin e tyre ironik të pikturave.
Pikturat janë vetëm një nga seritë e kontraversitetit që lidhet me Gruevskin dhe partinë e tij.
Më herët ai u kritikua pasi akuzoi gjatë një interviste kritikët e tij se kishin performuar rituale si të sekteve ndaj partisë së tij.
Ai gjithashtu është vënë në lojë pas një regjistrimi në YouTube ku shfaqet duke kërkuar këshillën e një fallxhoreje.