Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni bëri të ditur se balotazhi për zgjedhjet lokale në Maqedoni të dielën më 7 prill do të zhvillohet në 29 komuna dhe Qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë administrative.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko informoi se përveç balotazhit, do të ketë rivotime për raundin e parë në komunën e Strumicës dhe atë të Dollnenit, për shkak të parregullsive.
“KSHZ në përputhje me vendimet e Gjykatës Administrative ka sjellë vendim për përsëritjen e votimeve në Dollnen dhe Strumicë, ndërsa balotazhi do të zhvillohet në 29 komuna dhe Qytetin e Shkupit”, theksoi Kondarko.
Kandidatët shqiptarë në balotazh janë në komunat: Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair, Haraçinë, Vrapçishte, Tearcë. Ndërsa vota shqiptare do të jetë e rëndësishme në Kumanovë, Butel, Resnjë, Manastir,etj.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit u zgjodhën 49 kryetar të komunave. Sipas planit të decentralizimit, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.743.403 qytetarë. (ON)