Parlamentarët gjermanë nuk janë të kënaqur me Serbinë, në lidhje me nivelin e përmbushjes së kushteve që kanë të bëjnë me Kosovën, për më tepër kur është fjala për sulmin e ambasadës gjermane në vitin 2008 në Beograd, autorët e të cilit nuk janë zbuluar dhe kapur ende.
Një delegacion i parlamentarëve gjermanë dje ka takuar kryeministrin Ivica Daçiç, zv/kryeministrin e parë Aleksandar Vuçiç dhe zv/.kryeministren për integrime evropiane, Suzana Grubjeshiç, si dhe me një numër përfaqësuesish të sektorit joqeveritar. Sipas gazetës “Blic”, është interesant fakti se paraprakisht parlamentarët gjermanë kanë vizituar veriun e Kosovës, gjë që ndodh për herë të parë qëkur praktikojnë këtë lloj vizitash. Qëllimi i vizitës së parlamentarëve gjermanë është të verifikojnë se ç’është përmbushur nga shtatori i vitit të kaluar, kur kishin publikuar shtatë kushtet për Serbinë. Atëherë kishin shokuar opinionin e Serbisë me kushtin e shtatë, me të cilin kërkohet nga Serbia të nënshkruajë me Kosovën një lloj traktati për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Bundestagu në muajin maj do të vendosë nëse Serbia e meriton datën, ndërsa paraprakisht parlamentarët gjermanë edhe një herë do të vizitojnë Beogradin së bashku me parlamentarët francezë.