Ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se qytetarët serbë në veri janë duke pritur që zyrtarët e lartë të Qeverisë së Serbisë të vijnë dhe t’ua shpjegojnë se cilat janë efektet e marrëveshjes në Bruksel dhe si do të implementohet ajo.
Ivanoviç ka komentuar edhe kundërshtimin që e kanë shprehur disa prej drejtuesve të banorëve serbë të kësaj ane, përfshirë këtu edhe Milan Ivanoviçin, kryetar i Këshillit Nacional Serb.
“Duhet ta lexojmë marrëveshjen, por është e qartë se qytetarët serbë të Kosovës e pranojmë Qeverinë e Serbisë. Prandaj, kundërshtarët nuk është mirë që të pranojnë vetëm kur atyre u konvenon”, ka thënë Ivanoviç për Telegrafin. Ai ka thënë se banorët kanë nevojë për garancitë që do t’i marrin nga Qeveria e Serbisë, Bashkimi Evropian, NATO-ja e institucionet e tjera ndërkombëtare. “Duhet të na sqarojnë se si do të zbatohet marrëveshja që të jemi të qetë dhe rehat”, ka thënë Ivanoviç.