Masakra e fshatit Gjonomadh në Voskopojë të Korçës, rikthehet serish në vëmendje të publikut, por këtë herë jo mbi vrasjen e katërfishtë të dy çifteve të bashkëshortëve, me lidhje gjaku me njëri-tjetrin, nga Bashkim Latollari, por për fatin e 2 fëmijëve të mitur të Belimon dhe Daniela Meçollarit, të cilët mbetën viktima nga ekzekutimi me armë zjarri. Me vdekjen e prindërve, dy fëmijët e moshës 4 dhe 6 vjeç, kanë mbetur pa përkujdesje konkrete, teksa Shërbimi Social ka ofruar ndihmën ekonomike, por duket se familjet e dhëndrit dhe nuses viktimë janë në betejë ligjore për të marrë përkujdesjen e tyre. Kujdestaria është kërkuar nga nëna e Danielës, Vaibe Brahollari, e cila ka depozituar një padi civile në Gjykatën e Korçës, që është nën shqyrtim. Sipas avokates së çështjes, kërkesa e gjyshes së fëmijëve është konform ligjeve në fuqi. Tashmë e vetmja pengesë për Vaibe Brahollarin mbetet miratimi nga ana e babait të Belimonit, për marrjen e kujdestarisë së fëmijëve. Pas ngjarjes së kobshme, babai i Belimonit u shpreh se do të kujdesej vetë për fëmijët e mitur, por do të jetë Gjykata e Korçës ajo që do të japë vendimin final. Masakra ndodhi më 6 janar, kur Latollari vrau fillimisht Daniela dhe Belimon Meçollari dhe më pas Rexhep dhe Valentina Metellarin, (daja i Belimonit), për shkak se nuk lejonin lidhjen e tij jashtëmartesore me Danielën.