Pranvera Kola
Rihapet aplikimi për formularët A1 dhe A1Z. Pas kërkesave të shumta të maturantëve që nuk arritën të plotësonin dot në kohë këta formularë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka miratuar një tjetër periudhë aplikimi. Për tre ditë me radhë, përkatësisht në datat 7, 8 dhe 9 korrik, të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara mund të aplikojnë për të plotësuar formularin A1 dhe A1Z, të dhënat e të cilit janë të nevojshme jo vetëm për të konfirmuar mbylljen me sukses të studimeve të shkollës së mesme, por edhe për të vijuar më tej konkurimin për studimet e larta universitare.
“Pas kërkesave të shumta të të interesuarve që kanë përfunduar maturën dhe ende nuk kanë plotësuar formularët A1/A1Z, i ftoj të shfrytëzojnë edhe një mundësi të re për të kryer këtë aplikim në datat 7 deri 9 korrik 2021”, bën me dije ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi në një postim të bërë gjatë ditës së djeshme në rrejtin social facebook.
Procedura për plotësimin e secilit formular do të ndjekë të njëjtën rrjedhë si në fazat e mëparëshme. Konkretisht, aplikimin me formularin A1 mund ta bëjnë të gjithë nxënësit që mbarojnë përgjatë këtij viti studimet e shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet online në portalin e maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Gjatë plotësimit të formularit, këta maturantë duhet të zgjedhin nga lista e 11 lëndëve të miratuara lëndën që do të japin si provim me zgjedhje në sesionin e dytë të maturës, ose të dhënat e duhura në rast se provimet i kanë dhënë përgjatë muajit qershor. Për maturantët e shkollave profesionale bëhet e ditur se lëndën me zgjedhje që do të japin në sesionin e vjeshtës, duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.
Ndërsa formularin A1Z duhet ta plotësojnë kandidatët që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme në vitet e shkuara, por që duan të rikthehen në garë për studimet e larta në konkurimet e këtij viti. “Formularin A1Z duhet ta plotsojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2021 dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës. Këtë formular mund ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së dhe rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturs, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri, ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2021, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik”, konfirmojnë ekspertët e arsimit.
Kalendari i aplikimit për universitetin
Nga dita e djeshme ka nisur zyrtarisht gara e aplikimeve edhe për pranimet e reja që do të zhvillojnë institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private në vend. Deri në datën 28 korrik, maturantët dhe të gjithë kandidatët e tjerë që duan të konkurojnë për universitetin duhet të shlyejnë tarifën e aplikimit sipas procedurave të përcaktuara.
Më herët, autoritetet e MASR kanë sqaruar se të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesmë të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin me datat e aplikimit për universitetin, afatet e regjistrimit të fituesve për të 3 raundet e pranimeve të reja që do të realizohen përgjatë këtij viti në çdo institucion të arsimit të lartë në vend.
Sipas afateve të përcaktuara, të gjithë kandidatët që do të aplikojnë për studime të larta në Raundin 1, viti akademik 2021-2022, duhet që fillimisht të hyjnë në portalin U-Albania, ku pasi të identifikohen me kodet përkatëse, duhet të shkarkojnë faturën e pagesës së aplikimit. Me këtë faturë duhet të paraqiten në zyrat e postës, ose të bankave të nivelit të dytë dhe të shlyejnë tarifën prej 2 mijë lekësh. Pasi të kryejnë këtë veprim do të merrni mandatin e pagesës në të cilin keni edhe kodin përkatës që duhet ruajtur me shumë kujdes pasi do të jetë i nevojshëm në vijimin e procedurave të konkurimit për universitetin.
Mandatin e pagesës dorëzojeni në shkollë për të bërë konfirmimin e pagesës. Vetëm pasi të dorëzoni faturën, do të mund të keni akses për të aplikuar për degët e arsimit të lartë, duke plotësuar formularin A2 me deri në 10 preferenca konkurimi. Data 28 korrik shënon dhe afatin e fundit që keni në dispozicion për shlyerjen e tarifës së aplikimit në universitet për pranimet e raundit të parë. Ndërsa përzgjedhja e 10 degëve me të cilat do të konkuroni për universitetin do të bëhet në datat 29 korrik-3 gusht.
Të gjithë kandidatët që do të aplikojnë për universitetin në Raundin 1, duhet të kryejnë këto procedura:
- Fillimisht duhet të hyni në portalin U-Albania në adresën www.ualbania.al.
- Të logohoheni me ID mature dhe ID karte.
- Më pas duhet të shkarkoni faturën e aplikimit nga portali U-Albania.
- Kryeni pagesën prej 2,000 lekësh në Postën Shqiptare ose në bankat e nivelit të dytë deri në datën 28 korrik.
- Ruani kodin që do të merrni gjatë pagesës së tarifës së aplikimit.
- Mandatin e pagesës dorëzojeni në shkollë për të bërë konfirmimin e pagesës.
- Vetëm pasi të keni dorëzuar faturën që konfirmon shlyerjen e tarifës së aplikimit do të mund të vijoni me plotësimin e formularit A2, ku duhet të zgjidhni deri në 10 prefrenca me të cilat do të garoni për të vijuar studimet e larta universitare, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private.