Notat e marra në provimet me zgjedhje të viteve të shkuara janë të vetmet rezultate që do të lejojnë maturantët e “vjetër” të hyjnë sërish në garë për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike për 2013-2014-n. Ekspertët e Maturës Shtetërore tregojnë se këtyre kandidatëve nuk u lejohet të ndërrojnë lëndët e provimeve, në rastet kur duan të japin sërish provime me zgjedhje për të marrë rezultatet më të mira se ato të arritura më parë.
Në këto kushte kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet 2006 – 2012, aplikojnë për të ndjekur universitetin bazuar vetëm në rezultatet e viteve të mëparshme të Maturës Shtetërore. Kjo gjë lejohet vetëm në rastet kur ata plotësojnë një nga tre kushtet në vijim:
“Kur nuk janë shpallur fitues në universitete, e cila vërtetohet nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Kur janë shpallur fitues në universitete gjatë vitit të shkuar, por nuk janë regjistruar për të ndjekur programet e fituara. Ndërkohë që kanë të drejtë të marrin pjesë në garë edhe të gjithë ata kandidatë që vijuan studimet e vitit të parë, por që për arsye të ndryshme janë çregjistruar nga vijimi i studimeve të vitit të parë brenda datës 5 shkurt 2013, vërtetimi i së cilës bëhet sërish nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, si dhe dekanatet përkatëse të fakulteteve”.
Kandidatët nuk lejohen të japin provimet me zgjedhje të detyruar nëse kanë rezultuar kalues në maturat e shkuara, me përjashtim të rastit kur rezultatet e tyre janë nën notën 4.50.
Ndërsa për rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i arritur në vitin e fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë, merren koeficientët e vitit shkollor 2012-2013.
Më tej bëhet e ditur se në rastet kur lënda, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet, nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të këtij viti, për llogaritjen e pikëve të tyre nga AKP-ja do të merret koeficienti i lëndës analoge ose të përafërt. Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para këtij viti dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose kanë rezultuar jokalues, por dëshirojnë të aplikojnë për studime të larta në publik, duhet t’i japin sërish ato, duke u regjistruar nëpërmjet formularit A1Z.
Ky formular do të plotësohet online duke filluar nga data 15 prill. Shtyrja e këtij afati, sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, ka ardhur si rrjedhojë e aplikimeve që po bëhen nga maturantët që garojnë për të ndjekur studimet në universitetet nëpërmjet formularit A1. Edhe përgjatë javës së ardhshme këta të fundit do të mund të bëjnë plotësimin e këtij formulari ose të ndreqin gabimet që mund të kenë bërë gjatë plotësimeve të kryera në ditët e mëparshme.
Regjistrimi i maturantëve të vjetër për provimet me zgjedhje
Regjistrim i maturantëve të vjetër për provimet e maturës bëhet në shkollat ku ata kanë kryer arsimin e mesëm, ose në komisionet e maturës shtetërore që gjendet pranë vendbanimit të tyre, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.
Për t’u regjistruar maturantët duhet të paraqesin pranë këtij komisioni dokumentet përkatëse ku përfshihen: “Kërkesa me shkrim për dhënien e provimeve të Maturës. Kopje e noterizuar e Dëftesës së Pjekurisë, ose në mungesë të Dëftesës së Pjekurisë, vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, Certifikatën e Maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës apo dokumentit, të lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga drejtoria arsimore. Kopje të kartës së identitetit”.
Në bazë të dokumenteve të paraqitura, KMSH-ja përcakton notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe provimet e mbartura me zgjedhje të detyruara ia përcjell zyrtarisht shkollës ku kandidatët do të japin provimet me zgjedhje.