Ministria e Brendshme publikoi dje buletinin mujor të punës, ku vihet re se krahasuar me një muaj më parë, ka rënë numri i veprave penale. “Gjatë periudhës 17 nëntor, deri më 17 dhjetor, janë evidentuar 391 vepra penale më pak, krahasuar me periudhën 17 tetor-17 nëntor”, thuhet në buletinin e policisë.
Sipas shifrave të bëra publike, gjatë periudhës një mujore, është kapur 3,9 tonë drogë e llojit marijuanë dhe hashash. Gjithashtu ka pasur rezultate të larta në luftën ndaj fenomenit të korrupsionit. Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë kësaj periudhe janë 87 persona të cilët janë proceduar për këtë vepër penale. Ministria e Brendshme bën të ditur se, gjatë kësaj periudhe janë kapur 191 persona që kanë qenë në kërkim. Në kërkim ndërkombëtar janë kapur 7 persona, 7 për vrasje, 55 për krime kundër pronës, 23 për krimin e organizuar dhe 99 persona për krime të tjera. Ulja më e madhe vërehet në krimet ekonomiko-financiare.