Të shumtë mund të jenë personat e çuditur nga lajmi i bujshëm i këtyre ditëve sipas të cilit, “një biznesmen i tregtimit të gazit ka paguar 120 mijë euro për të eleminuar fizikisht një biznesmen tjetër të po kësaj fushe biznesi”. Dhe janë në të drejtën e tyre për të qenë të çuditur. Ndërkohë, është edhe një kategori tjetër njerëzish, që ndonëse, edhe ata nuk e justifikojnë aspak një veprim të tillë (nëse ai është i vërtetë), ndryshe nga kategoria e parë nuk ndjehen aspak të habitur. Sepse analizën e bëjnë më të thellë, më me këmbë në tokë – sikurse thotë populli. Dhe për rrjedhojë, veprime të tilla, sikurse është ky lajm që qarkullon këto ditë në mediat shqiptare, kanë prirjen t’i shikojnë si pasoja shqetësuese të një dukurie gjithashtu shqetësuese, sikurse është përhapja e konfliktit të interesit në biznes.
Pra ne kemi konceptuar deri tani konflikt interesi vetëm atë që është hasur ne politikë, administratë apo në gjyqësor, por kemi nënvleftësuar e injoruar plotësisht këtë process në fushën e biznesit. Kush është marrë sadopak me studimin e biznesit shqiptar, të fizionomisë së tij, ka vënë re se tashmë konflikti i interesit nuk është një rast episodik, por refren i tij. Mjaft biznesmenë sot kanë krijuar me veprimtaritë e tyre të shumta e të shpërndara konflikte të pastra interesi, nëpërmjet të cilave kanë ndërtuar dopio raporte me subjekte të tjera. Njëherë si partner e nga ana tjetër si operatorë konkurentë. Meqë jemi sërish në rastin në fjalë, ç’kuptim ka që një biznesmen të jetë shërbyes i operatorëve të hidrokarbureve nëpërmjet portit të shkarkimit në Porto Romano, si pronar i saj e nga ana tjetër të jetë konkurent i tyre nëpërmjet krijimit të një kompanie gazi, sikurse është AV Gaz?! Edhe sikur formalisht të maskohet nëpërmjet letrave konflikti i interesit, sërish, veprimtaria kundrejt “klient-konkuruesit” nuk do jetë e pandikuar, e pacenuar nga interesat individualë. Dhe që të jemi më të drejtpërdrejtë, Romano Port sha, sikurse është bërë tashmë e ditur e ka vonuar anijen e kompanisë “Prima Gaz” sh.a për rreth dy javë kundrejt një dëmi ditor prej 14 mijë eurosh. Dhe iu desh Autoritetit të Konkurencës të ndërhynte për të zgjidhur situatën. Mirëpo në fund kostoja e paguar nga subjekti i penguar rezultoi e madhe dhe e kotë. Sado të përbetohet drejtuesi i Romano Port sha dhe aksioneri i AV Gaz se e ka bërë këtë në emër të metodologjisë së punës, rregullit e skrupulozitetit, sërish shumica e qytetarëve e kanë të vështirë të besojnë një arsyetim e justifikim të tillë.. Sidomos kur konstatojnë konfliktin e pastër të interesit.
Vazhdojmë më tej me raste të tjera konflikti interesi në panoramën e biznesit shqiptar. Cfarë kuptimi ka që të ftosh për të patur klientë të bankës tënde, në trajtën e të kredituarve ,subjekte biznesi nga fusha të ndryshme, e nga ana tjetër tua vështirësosh punën duke u bërë edhe konkurues i tyre në sektorin ku ata operojnë? Janë dy veprime me sens tërësisht të kundërt sepse nga njëra anë, duke i kredituar ata, ti duhet të jesh i interesuar që atyre t’iu ecë puna që të jenë kreditorë të mirë të tu, por nga ana tjetër, nëpërmjet konkurimit, ti e ke hedhur poshtë këtë disponim. Kur u shpallën aksionerët e kompanisë së 4 celulare shqiptare dhe u bë i ditur edhe emri i një biznesmeni të mirënjohur, ish-drejtuesi i kompanisë celulare AMC, Stefan Oktapodas i kërkoi takim këtij biznesmeni. “Kjo që ke bërë është konflikt i pastër interesi-iu drejtua z. Oktapodas, biznesmenit shqiptar, ndaj duhet të zgjedhësh: ose do vazhdojmë bashkepunimin bashkë e do heqësh dorë nga anksionet tek kompania celulare ose do nderpresim bashkëpunimin e vazhdo atje aksioner”. Dhe ato që ia “shuan” realisht konfliktin e interesit biznesmenit shqiptar ishin llogaritë. I binte më mirë të vazhdonte bashkepunimin me AMC se sa ta ndërpriste atë. Po në raste të tjera çfarë ndodh? Konflikti i interesit në biznes jo vetëm ska patur oponencë si proces, por biznesmenë të ndryshëm kanë punuar hapur e pa droje në këtë drejtim. Një nga tiparet kryesore negative të biznesit shqiptar aktualisht është përqëndrimi i shumë aktiviteteve në duart e pak njerëzve.
Dhe ky përqëndrim nuk ka ardhur si rrjedhojë ideve të larmishme, të panumurta, i kreativitetit që i ka karakterizuar poseduesit e tyre. Në të shumtën e rasteve themelimi i aktiviteteve të reja ka ardhur nga “bombardimi” financiar që persona të ndryshëm kanë arritur të sigurojnë nëpërmjet fitimeve klasike dhe specifike. Para të tilla kanë qenë të destinuara të “mbijnë” në trajtën e aktiviteteve, ndaj kjo kategori biznesmenësh, e stimuluar edhe nga koshienca e parave “qyl”, nuk ka nguruar t’i investojë ato në fusha që janë eksploruar nga të tjerë protagonistë. Kjo mënyrë të vepruari ka krijuar konflikte të shumta interesi. Konflikte këto që kanë patur dhe do të kenë pasoja të mëdha, sikurse është rasti i ekspozuar ditët e fundit në media, gjithmonë nëse ai është i vërtetë. Por që ndërkohë edhe na heqin të drejtën të suprizohemi kur ato ndodhin.
Analize teresisht e sakte
per ata qe nuk dine te kenaqen me ate qe kane ky eshte fundi i tyre pra prangat ose plumbi
Jam plotesisht dakort me kete analize por ka edhe me keq kur deputet, doganier e punonjes se tatimeve kane firmat e tyre dhe masakrojne te tjeret.