Publiku shqiptar jeton aktualisht në tre Shqipëri: Shqipërinë reale, Shqipërinë e ekranit dhe të gazetave dhe Shqipërinë që ndodhet midis tyre. Shqipëria reale “përthyhet” në Shqipërinë e ekraneve, dukë na dhënë një panoramë që nuk është as e para, as e dyta. Pjesë e këtij “përkthimi” është vendi i tepruar që zenë në ekran dhe raportimet gazetareske pamjet e dhunës njerëzore. Duket sikur ngjarjet që ndodhin, shumëfishohen nëpërmjet mediatizimit dhe pastaj përplasen në trutë tona, duke përjetuar në mënyrë ciklike riprodhimin e dhunës së ndeshëshme gjithandej. Është ndërtuar një trekëndësh dhunë-ekran-tru, saqë nuk merret vesh se cili prej këndeve është më i rëndësishmi. Pra, cili prej këtyre faktorëve është më shumë gjenerues i tjetrit.
- Ekrani
Me vendin dhe intensitetin e transmetimit të dhunës, ekranet na krijojnë përshtypjen se dhuna është në mënyrë permanente një përmasë “normale” e jetës së shqiptarëve. Makabritetet që ndodhin në zonat më të dobta e të thyeshme të shoqërisë i jepen menjëherë publikut. Duket sikur shpejtësia e pasqyrimit të ngjarjeve të dhunshme është në tregues rekord. Asnjë ngjarje tjetër nuk vjen në ekran me shpejtësinë që vjen lajmi për dhunën. Në këtë pikë nuk funksionon asnjë filtër, asnjë vetëpërmbajtje. Dakord. Deri në një farë mase jemi në të drejtën dhe detyrimin e shtypit t’i japë publikut jetën reale. Me të mirat dhe të këqiat, me të bardhat dhe të zezat e saj. Por, duhet të pranojmë se në misionin e vet pasqyrues, media po tregon një asimetri të theksuar. Ngaqë ose për shkak të kufizimit të burimeve, ose për shkak të “përtacisë” për të depërtuar në jetën reale të vendit, media ose nuk shkon përtej Bulevardit të Madh, ose edhe kur shkon e bën këtë nëpërmjet gjurmimit të kronikateve të dhunës. Sa episode të kundërta me ato të dhunshme ndodhin përditë në Shqipërinë reale, për të cilat publiku, lexuesi dhe shikuesi, nuk informohet kurrë? Sa të duash! Media duhet të ndalet seriozisht në këtë asimetri të pasqyrimit të realitetit.
- Dhuna në jetën reale
A ka një intensifikim të ngarjeve të dhunshme që ndodhin në vend? Vështirë të gjejmë një përgjigje për këtë pyetje sepse ekranet na e ngatërrojnë punën. Prej tyre dhuna na jepet në mënyrë të njëjtrajtëshme, si në dimër, ashtu edhe në verë, si nga periferia, ashtu edhe nga “oda” e “baballarëve të kombit”, si nga të rriturit, ashtu edhe nga fëmijët, si nga burrat, ashtu edhe nga gratë. Informacioni mediatik derdhet me furi mbi shqisat tona, duke na imponuar atë që përmenda që në fillim: realitetin që vjen te secili prej nesh i shndërruar, shpesh herë edhe i konvertuar. Shqipëria e ekraneve dhe ajo midisëse na pengon të shohim, ndjejmë dhe ndryshojmë Shqipërinë reale. Megjithatë, fakt i është se për shkak të shpërdorimit të lirisë, vulnerabilitetit të agjensive të kontrollit, masivizimit të formave të ndryshme të devijancës dhe mjaft rrethanave të tjera, frekeuenca e dhunës gjatë tranzicionit është rritur.
- Truri njerëzor
Të ulur në mbrëmje përballë ekraneve shohim e dëgjojmë ato që kemi lexuar gjatë ditës nëpër faqet e gazetave. Të gjithë jemi viktima të zinxhirëve të komunikimit mediatik, ku ngjarjet e dhunshmë zenë, si rregull, kreun e vendit. Ky agresion mediatik ka vepruar dhe vepron në mënyrë konstante mbi të gjithë, por ai është më ndikues te fëmijët dhe njerëzit që jetojnë ose përballen me dilema sociale, ekonomike, financiare e psikologjike. Goditjet mediatike nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëmtojnë shëndetin e tyre mendor dhe moral, duke ndihmuar, dashur pa dashur, në riprodhimin e dhunës. Sa më shumë që media dhe komunikimi masivizohen dhe demokratizohen, aq më shumë një pjesë e shoqërisë, ajo që siç thashë, jeton midis dilemash, është potencialisht e rrezikuar. Demokratizimi i komunikimit po prodhon si një plotësues të vetin “demokratizimin e dhunës” dhe dy proçeset godasin mbi trurin e qytetarëve dhe të shoqërisë.
- Përse kjo rëndësi ekranit?
Të tre kulmet e trekëndëshit ekran-dhunë-tru mbajnë njeri-tjetrin. Por kulmi “ekran” meriton, të paktën në kontekstet që jetojmë, vëmendjen më të madhe shoqërore dhe politike. Shoqëria e ka të vështirë, në disa aspekte edhe të pamundur, të ndryshojë reflekset, instiktet dhe proçeset psiqike. Ajo nuk mund të ndalë si me magji dhe në mënyrë të menjëhershme episodet e dhunshme. Ndërkohë, për të ndihmuar këtë proçes, media mund të bëhet më selektive në filtrimin e ngjarjeve të dhunshme që i jep publikut. Si një pushtet real, të cilit i mungon votuesi dhe llogari-kërkuesi, medias i bie barra të korrigjojë dhe ndryshojë vetveten. Dhe ajo mund ta bëjë këtë, pa braktisur parimet dhe misionin e saj për të vërtetën.