Mbipopullimi dhe mbingarkesa e lartë është një ndër problemet më të shpeshta që shfaqet në urgjencën e pediatrisë. Mjekët pohojnë se janë me qindra rastet, që paraqiten çdo ditë në këtë shërbim për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Në masë, prindërit preferojnë të anashkalojnë mjekun e familjes nëpër poliklinikat e lagjeve, duke i çuar fëmijët e sëmurë, drejt e në urgjencën e pediatrisë edhe për komplikacionet më të lehta, ku trajtimi dhe vizitat mund të merren fare mirë pranë mjekut të familjes.
Në varësi të ndërlikimeve të shfaqura pacientët e vegjël drejtohen për në repartet e shtrimit, ose mbahen në vëzhgimin 24 orë, e më pas dërgohen në shpi për vijimin e mjekimit. Sipas autoriteteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” rezulton se: “Urgjenca pediatrike është një strukturë filtër që i shërben gjithë shërbimeve të pediatrisë, e cila përbëhet nga dy dhomat e vizitës, ku çdo ditë paraqiten mesatarisht 300-330 fëmijë (në 1 muaj rreth 8500-9000 fëmijë), si dhe dhomat e spitalit ditor ku fëmijët vëzhgohen gjatë 24 orëshit, e më pas në varësi të gjendjes shtrohen ose kthehen në shtëpi me mjekimin përkatës”.
Duke parë këtë fluks të madh pacientësh, çka shpesh herë vështirëson edhe punën e mjekut në dhënien e shpejtë të ndihmës mjekësore, bluzat e bardha shtojnë se vetëm në rastet e respektimit të sistemit të referimit do të mund të zgjidhej problemi i kësaj mbingarkese. Sipas tyre, nuk është e nevojshme të nxitohet drejt spitalit edhe për shqetësimet më të vogla, shërbimet për të cilat fare lehtë mund të merren pranë mjekut të familjes në poliklinikë. Duke iu referuar rasteve të paraqitura, ndër ndërlikimet më të shpeshta që shfaqen në këtë repart pohohet të jenë problemet e gastroenteriteve akute, gjendjeve febrile të zgjatura me natyrë të pazgjidhur, intoksikacioneve (helmimeve), si dhe problemeve pulmonare akute. Sipas të dhënave të detajuara rezulton se rreth 34 për qind e pacientëve që shtrohen në pavijonet e pediatrisë së përgjithshme paraqisnin gastroenterite të dehidrimeve të mesme e të rënda, 32 për qind e tyre bronkopneumoni e bronkiolite, të tjerat gjendje febrile dhe intoksikim (helmime).
Shtrimet
Dy pavijonet e shtrimit kanë 40 shtretër, në të cilët shtrohen pacientët me patologji kardiake, reumatologjike, të pediatrisë së përgjithshme, kryesisht gjendje febrile të zgjatura pa vatër të njohur infeksioni, si dhe infeksione akute gastrointestinale, urinare, pulmonare. Numri total i të shtruarve në një vit pranë këtij shërbimi raportohet të shkojë mbi 2500 shtrime, ku mesatarisht pacientët e vegjël qëndrojnë në këtë repart për të marrë ndihmë, për rreth 5 ditë. Mjekët pohojnë se fatkeqësisht në këtë shërbim është vënë re një rritje e numrit të fëmijëve që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, si pasojë e problemeve të lindura me zemrën.
Përballë vështirësive në furnizimin me medikamente, problemet më të theksuara shfaqen në repartin e onkohematologjisë, ku trajtohen fëmijët me sëmundje të rënda, të gjakut apo llojeve të tjera. Lidhur me disiplinimin e vizitave, burimet zyrtare të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sqarojnë se po punohet për ndërgjegjësimin e pacientëve që të respektojnë sistemin e referimit, teksa parashikohet furnizimi i plotë i shërbimit me barnat e munguara, si dhe me ekzaminime të domosdoshme në diagnostikimin e shpejtë të ndërlikimeve që shfaqen tek fëmijët.
“Shërbimi ka si synim për të ardhmen përfshirjen e protokolleve dhe evidencave më të mira mjekësore në aktivitetin e përditshëm profesional. Po mundësohen binjakëzime me shërbime të pediatrisë dhe sipas specialiteteve në vendet fqinje për zhvillimin e video-konferencave, shkëmbimin e eksperiencës dhe specializimin e stafit. Do të vazhdojë pjesëmarrja aktive në konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare. Objektivi prioritar është edhe zhvillimi i hemodinamikës kardiopediatrike, si dhe mundësimi i përdorimit të preparateve të reja biologjike për trajtimin e sëmundjeve reumatizmale kronike që shfaqen tek moshat e vogla”, sqarojnë autoritet drejtuese të kësaj qendre spitalore.
Në rritje numri i fëmijëve që lindin me probleme në zemër
Autoritetet shëndetësore konstatojnë se numri i fëmijëve që lindin me ndërlikime të zemrës po vjen në rritje. Mungesa e shërbimit nëpër rrethe i detyron të gjithë pacientët e vegjël të udhëtojnë drejt QSUT-së, pranë të cilës ndodhet dhe shërbimi i vetëm i trajtimit të kardiopative të lindura. Kardiologjia Pediatrike është e vetmja qendër spitalore terciare në rang vendi e diagnostikimit dhe trajtimit të kardiopative të lindura dhe të fituara. “Aty shtrohen pacientët kardiopatë pre dhe post-operatorë (pas realizimit të ndërhyrjeve kirurgjikale). Gjatë vitit të kaluar (periudha janar-nëntor 2013) rreth 14 për qind e numrit total të pacientëve kardiopatë me moshë kryesisht të 2-3 viteve të para të jetës i janë nënshtruar ndërhyrjeve kardiokirurgjikale. Vihet re një rritje e numrit dhe ulje e moshës së pacientëve kardiopatë që i nënshtrohen ndërhyrjes krahasuar me vitet paraardhëse” sqarohet nga mjekët e këtij shërbimi.
Kabineti i eko-kardiografisë 3500 ekzaminime në vit
Përballon konsultat nga të gjitha rrethet dhe numëron rreth 3500 ekzaminime gjatë një viti, numër që ndryshon me tendencë rritjeje nga viti në vit. Shërbimi ka rritur cilësinë diagnostikuese të këtyre kardiopative duke pajisur kabinetin me një aparat të ri me parametra bashkëkohor. Sipas mjekëve, një rol të rëndësishëm në kryerjen e shpejtë të ekzaminimeve të kryera tek fëmijët që kanë probleme me zemrën ka pasur edhe bashkëpunimi me ekipin e mjekëve italiane, ardhja e shpeshtë e të cilëve ka ndihmuar në zgjidhjen dhe realizimin e ndërhyrjeve të vështira për shumë nga fëmijët e vegjël që kanë manifestuar ndërlikimet më të rënduara.
Reumatologjia pediatrie me më shumë se 1500 konsulta
Është e vetmja qendër spitalore terciare në rang vendi për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive reumatologjike akute e kronike që shfaqen tek fëmijët. Pranë këtij shërbimi kryhet një punë e madhe, me një volum prej rreth 1500 konsultave në vit. Në këtë shërbim ofrohet dhe konsulta mbi ushqyerjen dhe dietologjinë që i përgjigjet të sëmurëve kronikë të gjitha specialiteteve që kanë nevojë për dieta të veçanta ushqyerje, specifike sipas patologjisë, me 10 konsulta në javë.