Shpërthejnë virozat dhe gjendjet gripale në masë. Java e parë e muajit janar është shoqëruar me një rritje të urgjencave të paraqitura në spitale me ndërlikime të shkaktuara nga virozat dhe gjendjet gripale. Pediatria është përballur me numrin më të lartë të urgjencave, ku në pjesën dërrmuese të rasteve fëmijët e paraqitur kanë manifestuar temperaturë të lartë. Për shumë prej tyre mjekët pohojnë se janë detyruar që të hapin direkt kartelat e shtrimeve duke qenë se gjendja e tyre shëndetësore paraqitej tepër e rënduar.
Bluzat e bardha vënë në dukje se për ditë me radhë fëmijët kanë pasur temperature, kollë e dhimbje fyti, dhe me t’i sjellë prindërit në spital janë detyruar që t’i shtrojnë. Ndërkohë që qindra pacientë të vegjël pasi kanë marrë kujdesin në urgjencë janë dërguar për trajtim të mëtejshëm në ambientet e tyre të banimit. Vetëm gjatë ditës së djeshme urgjencat kanë raportuar mbi 200 raste të paraqitura me komplikacionet gripale, vetëm tek moshat e vogla. Fluksi i urgjencave të paraqitura sipas mjekëve vjen si rrjedhojë e faktit që prindërit në të shumtën e rasteve nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në poliklinika apo në spitalet rajonale ku janë, por i referojnë në shumicën e rasteve në këtë shërbim në Tiranë.
Sipas tyre, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që të neglizhojnë momentet kur fëmijët e tyre kanë shenjat gripale, por të drejtohen sa më shpejt mjekut. Kjo pasi vetëm në këtë formë mund të parandalojnë në kohë ndërlikimet që shfaqen kryesisht në rrugët e frymëmarrjes, të cilat më pas kalojnë edhe në ftohje. Kujdes duhet bërë për të shmangur qëndrimet kolektive të vegjëlve dhe të mos përdorin antibiotik ka konsultën e mjekut. I lartë raportohet edhe numri i urgjencave tek të moshuarit që vuajnë nga sëmundje kronike të cilat janë përkeqësuar edhe më shumë për shkak të gripit. Qindra raste të tilla kanë marrë ndihmë në urgjencat e QSUT-së.