Të enjten mbrëma, ku pothuajse është e përqendruar vëmendja më e madhe e opinionit ndaj debatit politik e jo vetëm, mund të dalloje dy pamje krejt të kundërta, ku njëra tregonte se si media mund të kryejë një rol shkundës dhe emancipues ndaj politikës, e tjetra, se si media qorrollepset mbas qorrollepsjes së politikës, duke çuar në qorrollepsje dhe interesin publik. Ndjekësit e njërit ekran, ishin ata qindra bujq e fermerë, njerëz që i bien shatit çdo ditë për të siguruar bukën e përditshme, por dhe ata mijra konsumatorë që duhet të dijnë se ç`fusin në organizëm e së ç`duhet të hanë për të qenë të shëndetshëm; ndërsa tek tjetra, ndjekësit pa dyshim ishin ata që e jetojnë këtë vend si një lokal fshati, vetëm si tifozë futbolli ose politike, ku kërcet muhabeti e nganjëherë dhe sherri për gjithë arsyet e mundshme të mosarsyeve. Tek njëra flitej për punën, vizionin e së nesërmes së fshatit, fshatarit, të mbjellave, tregut, produktit bio, të ardhurave, punësimit; tek tjetra, ca ballëvrenjtur nga hallet e kombit, nën ethet e një narcizmi të papërmbajtur, shtyheshin me njëri – tjetrin në një pellg cekësie të krenarisë së domosdoshme burrërore e jo vetëm, për të gjetur gurin që ç`prej një jave ka hedhur një budalla aty, me dëshirën që të joshë mundësisht sa më shumë të “mençur” për t`i yshtur në llokoçitjen e radhës . Ishin ato dy pamje diametralisht të kundërta, që fare mirë tregonin se media, sa ka na dorë të prish, ka po aq dhe të ndreq prej punëve të mbrapshta të politikës. Nëse është fjala për një akuzë që qarkullon në sallonet e politikës, media nuk bën ‘parlamentin’ me llojin “deputet” të analistit, por braktis studiot e del ne terren për ta gjurmuar të vërtetën, e për të denoncuar o atë që gënjen kur akuzon o atë që fsheh ndonjë të pabërë për të cilën akuzohet. Gërdeci, skandalet e tij, nuk u zbuluan në debate shterpë nën dritë prozhektorësh, por nga aftësia e kredoja profesionale e një race gazetarësh. Ngjashëm dhe 21 Janari. Sakaq, në ekranin tjetër, ndodhej ai për të cilin duhet të flasin parreshtur mediat: Dhimo Kote, njeriut të cilit i dedikohet një copës Shqipërie tjetër, një lloj ishulli i rrethuar nga llumi i marrëzisë së kotësisë, parazitizmit e dembelllëkut shqiptar, ku punohet e jetohet me dinjitet, mes një bukurie e begatie si të ish një copë perëndimi i importuar. Ndërsa nga ekrani tjetër, ai që dublonte këtë njeri, ishte një qënie që ende nuk dihet se për ç`punë, ç`aftësi e ç`merita u është bërë ferë shqiptarëve, duke iu fanitur në të gjithë ekranet./E.H