Pa dëshminë e gjuhës së huaj nuk mund të kalojnë provën finale të marrjes së diplomës në studimet master. Korridoret e fakulteteve publike gjatë ditëve të fundit po ziejnë nga lëvizjet e shumta të studentëve,që janë në prag të mbylljes së studimeve master.
Bashkë me punimin e mikrotezës, studentët duhet të dorëzojnë pranë sekretarive mësimore të departamenteve ku studiojnë edhe dëshminë përkatëse, që konfirmon mbrojtjen e anglishtes sipas testeve ndërkombëtare të toefl-it ose toeic. Mungesa e këtij dokumenti nuk e lejon studentin që të përfundojë procedurat për mbrojtjen e mikrotezës, ose siç njihet ndryshe punimi i diplomës së studimeve master.
Burimet zyrtare të Universitetit të Tiranës bëjnë me dije se mbrojtja e anglishtes sipas testeve të përmendura është një ndër kushtet e detyruara që duhet të përmbushin në prag të diplomimit, si studentët e “Masterit profesional”, po ashtu edhe ata të “Masterit Shkencor”, apo programeve të doktoraturës. Po sipas të njëjtave burime janë me qindra studentët, të cilët nuk arrijnë të marrin diplomën në kohën kur mbarojnë kohëzgjatjen e përcaktuar të studimeve, për shkak se nuk janë pajisur me certifikatën që konfirmon mbrojtjen e gjuhës angleze sipas testeve ndërkombëtare, teksa një pjesë e konsiderueshme e tyre e shtyjnë në kohë procesin e diplomimit për shkak të mbetjes në provimet e lëndëve të caktuara.
“Të gjithë studentët e nivelit Master (Shkencor dhe Profesional, me kohë të plotë dhe të pjesshme) se në ditën e dorëzimit të punimit të Mikrotezës në departamentet përkatëse duhet të dorëzojnë edhe certifikatën origjinale të mbrojtjes së gjuhës së huaj. Kjo certifikatë do t’i rikthehet studentëve pas mbrojtjes së mikrotezës”, citohet nga sekretaria mësimore e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. E njëjta procedurë për t’u ndjekur raportohet edhe nga fakultetet e tjera.
Numri i studentëve që janë në prag të mbylljes së studimeve master paraqitet shumë i lartë. Ndërkohë që shumë i lartë edhe numri i kandidatëve që e kanë kryer këtë cikël studimesh në vitet e shkuara, por mungesa e certifikatës që tregon mbrojtjen e anglishtes nuk i ka lejuar që të pajisen me diplomën përkatëse, e në raste të caktuara të mbrojnë edhe mikrotezën, e cila është puna përmbyllëse e studimeve universitare. Ajo përfshin një punë kërkimore origjinale mbi një tematikë të përcaktuar qartë, që mund të ketë një natyrë empirike ose teorike dhe që mund të sjellë si rezultat një punim cilësor e të plotë, si dhe të kthehet në një kontribut shkencor të dhënë nga studenti përkatës. Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e arsimit të lartë për studimet e nivelit të dytë thuhet se :“Programet e studimeve “Master profesional” realizohen me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1,5 vite akademike. studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Ndërsa programet “Master Shkencor” realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite për projektin kërkimor dhe tezën. Kohëzgjatja normale e këtij cikli studimi është 2 vite të plota akademike. Edhe kandidatët e këtij niveli gjithashtu duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare”. Fakultetet e UT-së, rezultojnë të kenë dhe numrin më të lartë të studentëve që diplomohen çdo vit në programet master.
Pergatitja e specialisteve te ardhshem te cdo dege me njohuri te mira edhe ne fushen e gjuheve te huaja, eshte nje domosdoshmeri sot, ne tregun e hapur te punes ne Shqiperi, Europe apo me gjere! Gjithsesi kufizimi i dorezimit te certifikates se mbrojtjese se gjuhes se huaj mbi bazen e nje testi te njohur nderkombetarisht si toefl, toec, etj. vetem per gjuhen angleze, me duket i tepert kufizues! Mendoj se liberalizimi i te gjitha gjuheve europiane apo me tej, dhe mbrojtja e tyre mbi bazen e nje testi nderkombetarisht te njohur edhe nga Keshilli i Europes, si: Celi per gjuhen italiane, certifikata e gjuhes frenge e leshuar nga Alliance Francaise, certificata e gjuhes gjermane nga Instituti Goete, etj . …. do te ishte nje zgjidhje me efikase per te gjithe studentet tane, duke u lene atyre mundesine e zgjedhjes se gjuhes qe duhet mbrojtur, ne baze edhete investimit dhe te njohurive qe ata kane marre ne vite ne jeten e tyre duke pas parasyah edhe emigracionin dhe levizjen e lire te studenteve. Gjithashtu, me duket mese normale qe studentet qe studiojne ne fakultetet e gjuheve te huaja (cfaredo lloj qofte) te perjashtohen nga ky provim! Nga ana tjeter, mendoj se ndoshta ka ardhur koha, qe te punohet edhe per certifikimin e gjuhes shqipe per te huajt, sipas udhezimeve te keshillit te Europes per gjuhet e huaja dhe modelit te testeve te njohura nderkombetarisht!