Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula para tre ditëve është ngjitur në skenën e Shtëpisë së Operës së Beogradit, e cila para publikut beogradas është paraqitur me rolin e Mimit të “La Boheme”.
Pas performancës ajo ka folur mbi këtë prezantim, që nis edhe bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë dhe Serbisë. Prej kohës kur i është bërë ftesa për këtë shfaqje e deri te ngjitja në skenë, Inva Mula ka shpjeguar për këtë emocion, e cila është shprehur se sikur në asnjë shfaqje tjetër ka dashur që performanca e saj të jetë në nivelin e duhur.
“Ftesa më është bërë një vit më parë, kur ndodhesha në Tiranë dhe pata një takim me drejtorin e Operës Shtetërore të Beogradit, Dejan Saviç, që është një muzikant i shkëlqyer, mbi të gjitha një artist e më pas edhe drejtor.
Në një bashkëpunim që pati ai me Teatrin e Operës së Baletit të Tiranës dhe që ishte një mik me drejtorin e këtij institucioni Ilir Kerni, unë pata një lloj garancie që ta konsideroja këtë ftesë shumë serioze, e cila ishte një ftesë dhe vinte pas një periudhe kaq të gjatë, siç e thatë edhe ju.
Mua m’u bë qejfi që ftesa erdhi nga një muzikant, mbi të gjitha nga një njeri që e vlerëson artin, vlerëson artisten, i cili më pat thënë atëherë se ‘ka dhjetë vite që kërkoj të vish dhe nuk e kam arritur qëllimin’, kur ma tha një gjë të tillë, mendova se me të vërtetë është një ftesë shumë serioze dhe nuk ishte një prej ftesave që duhet kaluar.
Prandaj i thashë ok, dhe ashtu u bë. Në listën që m’u dërgua nga të gjitha shfaqjet zgjodha “La boheme”, duke mos e ditur që edhe Tefta Tashko kishte kënduar në “La Boheme” në vitin 1945, thjesht ishte një rastësi.
Por ishte edhe një rol që e kam kënduar në gjithë botën, është një rol që shkon edhe me karakterit tim, dhe besova se do të ishte një rol që do të pëlqehet nga publiku”- tregon Mula. Ajo tregon më tej edhe për momentin kur shkoi në Beograd.