Sado analiza të bësh e të ribësh, mbështetja popullore mbetet për liderë që jo vetëm flasin, por edhe punojnë dhe që jo vetëm broçkullisin, por edhe inspirojnë. Dhe ia vlen të ndalemi bash në këtë pikë, pasi kohët e fundit janë shtuar shumë diskutimet në lidhje me të qenit lider dhe çfarë përfaqëson lidershipi i vërtetë. A është lider p.sh., dikush që thjesht frekuenton shpesh studiot televizive dhe është i zoti në punë kulisash? Apo është diçka përtej kësaj? Diçka që kërkon edhe mbjelljen e një fryme të caktuar, manifestimin e qartë të mirëmenaxhimit dhe efikasitetit në qeverisje, fitoren e garave individuale dhe aftësinë për të komunikuar me grupe të ndryshme shoqërore?
Nuk ka dyshim që, qoftë teorik, qoftë në një vështrim empirik krahasues, si diakronik, ashtu dhe sinkronik, të qenit lider nuk është diçka që gdhihesh një mëngjes dhe zbulon se e paske si vokacion, nuk është thjesht dhe vetëm të reklamuarit se do jesh një ‘primus inter partes’, dikush i përafërt me të qenit thjesht dhe vetë drejtues mbledhjesh.
Të qenit lider kërkon të inspirosh ata që besojnë tek ty, të kesh kredibilitetin që ta jep historiku i kontributeve dhe të dish të drejtosh me siguri, vetëbesim dhe përkushtim. Sot nevojitet një opozitë e fortë, dinamike dhe me integritet, në pritje për të fituar bindshëm në zgjedhjet e ardhshme, që për shumë faktorë informues, do të shënojnë fundin e një regjimi që po mbahet me thonj pas krimit ekonomik dhe jo vetëm.
Email nga adresa: [email protected]