Mediat spanjolle dhe ato britanike e kanë bërë fakt të kryer kalimin e Garet Bejl tek Real Madrid. Dy gazetat më të mëdha sportive, “AS” dhe “Marca”, janë hapur sot pikërisht me kalimin e sigurtë të mesfushorit të Totenhem tek Reali. Bejl ka refuzuar që të luajë në turneun aziatik të Totenhem dhe ka kërkuar një takim me presidentin e klubit, i cili është kthyer nga Nju Jorku posaçërisht për këtë çështje. “As” shkruan se Bejl po ndjek të njëjtën taktikë të ndjekur nga Luka Modriç vitin e kaluar, duke u rebeluar nga klubi.
Ndërkohë, kompanitë e basteve e kanë hequr transferimin e Bejl tek Reali, duke qenë se tashmë e konsiderojnë si të kryer. Gazetat britanike ndërkohë shkruajnë se tashmë arritur marrëveshja për transferimin e Bejl tek Reali, për një shumë mes 85 deri në 96 milion paund. Si për ta bërë pothuajse të kryer transferimin, është edhe një mesazh në faqen zyrtare të Bejl në Tuitter, që mendohet se është shkruar pikërisht nga ai dhe është fshirë vetëm pak minuta pasi është shkruar: “Jam shumë krenar që kam përmbushur ëndrrën. Unë jam lojtar i ri i Real Madridit. Së bashku, ne do të arrijmë shumë tituj”.