Ka një analogji befasuese midis Meksikës dhe Italisë: në të parën, kartele, drogë dhe politikë – në të dytën, Kamorra, plehra dhe politikë. Në Meksikë gazetarja investigative, Anabel Hernandez, rrezikon çdo ditë jetën pasi publikoi dy libra mbi drogën dhe korrupsionin. I fundit i publikuar në tetor të 2013-s, “Narcoland”, ka krijuar një zhurmë të madhe në vend dhe jashtë tij, pasi hedh një tezë shqetësuese për qeverinë meksikane: lufta zyrtare kundër karteleve të kokainës (e cila zgjat nga viti 1989), është vetëm një farsë. Pas kërcënimeve me jetë, Anabel jeton me skortë truprojash. Sipas saj, niveli i korrupsionit midis forcave të rendit dhe disa zyrtarëve të institucioneve është aq i thellë, sa ka arritur ta shndërrojë luftën kundër drogës në një luftë për drogën.
Biznesi i kokainës sipas autoriteteve amerikaneve vlen plot 50 miliardë dollarë. Në qendër të akuzës në libër, krahu i djathtë i ish-presidentit Felipe Calderon, i vënë në krye të Sekretariatit për Sigurinë Publike, institucioni me detyrën për të vënë në lëvizje luftën kundër karteleve. Në fakt, sipas Anabel ai ka ndihmuar një prej karteleve më të fuqishme që të lëvizë i pashqetësuar. Në këtë kontekst kartelet meksikane janë struktura të vërteta pushteti me në dispozicion kapitale të mëdha që mund të blejnë lehtësisht burra të çdo rangu të institucioneve dhe të komandojnë në pjesë të tëra të vendit. Droga dhe tregu i saj i pafund amerikan janë nektari i trafikantëve meksikanë.
Në Itali jo shumë ndryshe nga Meksika, katër organizata mafioze mbajnë peng të paktën 4 rajone, Kampanian, Kalabrian, Pulian dhe Siçilinë, por pushteti i tyre është shtrirë shpejt në pjesën tjetër të vendit, duke zaptuar sektorë të tërë të ekonomisë dhe duke mbërritur deri brenda institucioneve. Një nga eksperimentet kriminale më të fuqishme nën markën e bosëve të mafies është ai i vënë në zbatim gjatë 25 viteve të fundit në Kampania, më konkretisht në Napoli dhe Kazerta, të cilat janë shndërruar në një ferr të plehrave toksike të groposura nën fusha, rrugë, fusha futbolli, azile dhe qendra për të moshuarit. Në vend të drogës, ku ekziston një rrezik i madh, mbeturinat sjellin edhe më shumë fitime me risqe shumë më të vogla. Një biznes i paligjshëm që është denoncuar që nga fundi i viteve ‘80. Dhjetëvjeçarë ku institucionet i kanë bërë luftën ekomafies vetëm me fjalë. Pas kërcënimeve për ata që spiunonin erdhën edhe vrasjet e para, si ajo e Michele Orsit (në 2008-n), një prej sipërmarrësve që kishte shkelur në kallo klanin e Kazalezëve.
Në dhjetëra hetimet e ndërmarra mbi emergjencën e plehrave, në këtë rajon figurojnë politikanë të ndryshëm edhe të rangut kombëtar. Prokuroria e Napolit hapi dikur një hetim mbi të ashtuquajturën “Traktativë Shtet-Kamorra”, e cila dyshohet të ketë nisur zbatimin midis viteve 2005-2007, kur struktura të shtetit i ofruan prokurime dhe mbrojtje kreut të Kazalezëve, Michel Zagaria, i arrestuar në dhjetor të 2011-s. Deri më sot janë rreth 20 ish-bosë mafiozë që e kanë konfirmuar këtë skenar të trishtë. Një prej më të famshmëve, Gaetano Vassallo, shpjegoi për juristët se menaxhimi i plehrave ishte në dorën e Kazalezëve.
Ende sot vazhdojnë të krijohen bazat e asaj që do të jetë një fatkeqësi e pariparueshme ambientale, e cila do ta ketë kulmin në vitin 2064, kur burimet ujore të këtyre dy provincave të jenë përfundimisht të helmuara. Me dëme shëndetësore të pallogaritshme, komunitete të tëra do të detyrohen të kthehen në refugjatë ambientalë dhe e gjithë kjo për shkak të paaftësisë së institucioneve që nuk dinë se ku t’i çojnë helmet dhe me çfarë të ardhurash të bëjnë bonifikimet. Ndërsa zyrtarisht lufta kundër ekomafies ngelet e hapur./D.Gjuzi