Ledian Memushaj, lojtari që ka marrë leje në kombëtaren e Shqipërisë për t’iu bashkuar Peskarës në gjysmëfinalet e Play-off të Serisë B për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian, dje ka luajtur 90 minuta përballë Novarës.
E vërteta është se Peskara me atë fitore në transfertë 2-0, kjo falë golave të Lapadulës në të 21’ dhe Torrentes në të 77’, duket se ka hedhur një hap të sigurt drejt finales. Gjë që do të vuloset të martën në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Adriatika” të Peskarës.
Çështja është nëse Memushaj do të jetë pjesë e Peskarës në dy ndeshjet e finales më 5 dhe 9 qershor, apo jo. Sepse aty luhet dhe i gjithë sezoni për skuadrën e Odos që kërkon ngjitjen në Serinë A, ndërsa për Memushajn duket se është më e rëndësishme kombëtarja.
Gjithsesi Memushaj dje ka luajtur 90 minuta, ndërsa gjatë gjithë sezonit ka kontribuar me 11 golat e tij, teksa është dhe kapiteni i Peskarës. Ai do të bashkohet me kuqezinjtë tashmë pasi leja e detyrueshme përfundon sot.